
Eduart Sharka nga departamenti i bujqësisë në PD tha përmes një lidhje “Skype” me studion e MCN Lice se breshri ka shkatërruar gati 150 hektarë me pjeshkë në zonën e Lushnjës.
Janë shkatërruar gati 150 hektarë me pjeshkë. Prodhim i hershëm që del më 15 maj në treg. Për 20 minuta breshër pothuajse kishte dëmtuar 100% të prodhimit. Nuk kishte lënë kokërr dhe lule pa prishur.
Është fenomen që pritet të ndodhë shumë më shpesh për shkak të ndryshimeve klimatike. Është një nga shkaqet që largon fermerët nga bujqësia dhe nga Shqipëria. Ekonomia e fermerëve është vulnerabël dhe në momentin që dëmtohet në raste të tilla, ka sjellë pasoja largimin e fermerëve pasi nuk janë në gjendje të rikuperojnë dhe të vazhdojnë aktivitetin e tyre. Në raste të veçanta stuhia ka shkaktuar qindra milionë dëme dhe një fermer që ka hedhur aty kursimet e jetës ka ndërtuar një sërë që bën 500 milionë lekë e ka të pamundur ta ribëjë investimet. Në rajon dhe Europë është fenomen i trajtuar dhe është gjetur zgjidhja. E para me parandalim, Europa subvencionon mbulimin e pemëve frutore me rrjetë. Tek ne nuk është bërë kjo. Kryesorja që bëhet është ndarja e pasojave me shtetin. Ka dy mënyra, mënyra e parë është nxitja e fermerëve për t’u siguruar në agjencitë private. Shumë fermerë kanë provuar të sigurohen, por agjencitë sigurojnë vetëm në periudha kur risku është i vogël. Skema nuk është funksionale se janë shumë pak fermerë kanë shkuar të sigurohen.
Sharka tha se bujqësia ndodhet në çaste dramatike dhe se politikat e ndjekura janë në kundërshtim me ato që ndiqen nga vendet fqinje.
Bujqësia është në çaste dramatike. Politikat e ndjekura janë kontraverse. Janë në kundërshtim me politikat që ndiqen në vendet fqinje. Bujqësia më dramatike ka mungesën e subvencioneve, mungesën e orientimit, ka krizën e tregut, fatkeqësitë natyre, mungesën e mbështetjes së produktit vendas.



