
Merre tani, paguaje më vonë. Duket si praktika e blerjes me listë, që në Shqipëri ndiqet prej shumë vitesh. Por është shumë më moderne dhe nuk lë vend për borxhe të mëvonshme. Koncepti ka lindur në Suedi dhe është krejt i thjeshtë. Kur klientët zgjedhin produkte në faqe si Asos, Gymshark apo Topshop, ata mund të paguajnë në moment me PayPal ose mund të zgjedhin të paguajnë më vonë. Këtë e bën të mundur Klarna, e cila u lejon atyre të bëjnë porosinë pa paguar direkt te shitësi. Pagesën e bën Klarna dhe konsumatori ia shlyen shumën asaj brenda 30 ditësh.
Për të fituar të drejtën e këtij lloji pagese, klientët duhet të japin vetëm detaje si emri, adresa e faturimit, data e lindjes, adresa e emailit dhe numri i kontaktit, dhe brenda sekondave ata i nënshtrohen një "kontrolli të butë kredie" dhe miratohen si përfitues të shërbimit. Konsumatorët ose mund të zgjedhin të paguajnë shumën e plotë deri në 30 ditë më vonë, ta ndajnë koston e blerjes së tyre në këste të barabarta, pa interes për tre ose katër muaj, ose të regjistrohen në opsionin që ndan koston e blerjeve më të mëdha deri në 36 pagesa mujore, por me tarifa interesi.
Por suedezja Klarna nuk është e vetmja që e ofron këtë lehtësi. Shërbime të tilla kanë fituar popullaritet vitet e fundit. Një kompani e ngjashme start-up është australiania Afterpay, e cila i ka shtrirë shërbimet e saj edhe në Europë, Zelandë të Re dhe SHBA. Simotra e saj europiane, Clearpay, ka mbi 5 milionë përdorues. Klarna thotë se ka 60 milionë klientë në të gjithë botën, dhe 26 milionë prej tyre janë shtuar në vitin 2018. Në gusht, kompania u vlerësua në 5.5 miliardë dollarë. Përdoruesit e saj janë kryesisht të rinjtë, të cilët i menaxhojnë me kujdes paratë e tyre dhe preferojnë t’i përdorin kartat e kreditit për pagesa të mëdha siç janë pushimet.



