Ka ndezur shumë debate ditët e fundit projektligji për barazinë gjinore që është hedhur për konsultim nga qeveria. Përfaqësuesit e shoqërisë civile pretendojnë se drafti në fjalë është i rëndësishëm në luftën kundër diskriminimit dhe stereotipeve, por përfaqësues të besimeve fetare pretendojnë se ky draft është i rrezikshëm për shoqërinë. Në studion e MCN Informacion, Elta Milori, eksperte ligjore, tha se në draftin e ri duhet saktësuar terminologjia.
Ligji duhet të saktësojë terminologjinë. Kemi të bëjmë me termin barazi gjinore dhe gjini. Është një kusht që u paraprin të gjitha kushteve. Shoqatat e grave e kanë përgëzuar këtë ligj. Por termi gjini krijon pak konfuzion. Edhe pse është hedhur për konsultim publik. I gjithë opinioni duhet të reagojë për këtë term. Mendoj që projekti ka nevojë për saktësim të terminologjisë. Gjinia ngatërrohet apo krijon problem me barazinë gjinore. Ne duhet të përcaktojmë gjinitë. Që këtu fillon problemi, që krijon konfuzion.
Ajo tha se termat e rinj bien ndesh me traditën shqiptare.
Ne si komb na ka mbajtur familja. Edhe sot ka familje të mëdha me katër e pesë breza që jetojnë së bashku. Kjo traditë na ka mbajtur në këmbë si komb. Nuk mund ta pranojmë, është shumë e vështirë të pranosh terma të tilla. Shumë rekomandime që na i vënë si kushte ne duhet t’i vëmë në raport me historinë, me rrethanat, me traditën shqiptare. Është një moment që kërkon kohën e vet. Duhet pasur parasysh që do të ketë probleme, sepse jemi një vend që familjen e ka të shenjtë.



