Raundi i parë i votimit për zgjedhjen e Presidentit të ri të Republikës, i parashikuar në orën 17.00 të pasdites së sotme, do të ezaurohet pa asnjë kandidat.
Një gjë e tillë u bë e ditur në mbledhjen e paradites së sotme të Komisionit të Ligjeve, i mbledhur për shqyrtimin e kandidaturave për zgjedhjen e kreut të shtetit.
Në fjalën e rastit, demokrati Enkelejd Alibeaj deklaroi se i është bërë e ditur mazhorancës se procesi duhet të përmbushë disa kritere, në mënyrë që Presidenti të përfaqësojë unitetin e popullit.
Detyrimi i parë është ai i një procesi të sinqertë. Duhet një President i gjithëpranuar! Ky proces duhet të zhvillohet në bazë konsensuale.
Mazhoranca nuk i ka numrat dhe aq më pak legjitimitetin që të vazhdojë e patrazuar për zgjedhjen në mënyrë të njëanshme të Presidentit të Republikës.
Presim qëndrim, jeni ju për zgjedhjen e Presidentit sipas frymës së Kushtetutës? Për një proces që të mos shndërrohet në lojë politike brenda Parlamentit dhe të tregojë që po keni dëshirën për t’iu dhënë qytetarëve qytetarin e parë.
Ky dështim i këtij raundi të parë qëndron në supet tuaja. Një orë e më parë ju duhet të mbani qëndrim, jo thjesht për zgjedhjen e Presidentit. Koha është përpara! Ne jemi në pritje të qëndrimit për të parë se çfarë produkti do të dalë.
Sipas Alibeajt, i gjithë procesi për zgjedhjen e Presidentit, ka qenë një farsë dhe hipokrizi.
Reagimi i kreut të grupit parlamentar demokrat, erdhi pasi kryetarja e komisionit Klotilda Bushka deklaroi se Komisioni i Ligjeve ka konstatuar se nuk ka asnjë kandidaturë.
Raundi i parë konsiderohet i kryer pa votim. Për efekt të rregullores ne do të na duhet që ta konstatojmë këtë fakt, për t’ia paraqitur më pas Kuvendit.
Si fillim do bëjmë detyrën kryesore sa i takon detyrave të një tryeze tjetër.
I ftoj palët të jenë më të përfshira e mos jenë vetëm duke dhënë mend e duke dhënë këshilla por secili ta nisë nga vetja të qenit luajal në këtë proces.



