
Ish-presidenti francez, Nikolas Sarkozi, thotë se akuzat për fondet e përftuara nga diktatori libian ia kanë bërë jetën ferr. “Akuzohem pa asnjë provë fizike”, u tha ai prokurorëve, raporton gazeta franceze “Le Figaro”.
Sarkozi është nën hetim për financim të paligjshëm të fushatës së tij për president në vitin 2007, keqpërdorim të fondeve publike të Libisë dhe korrupsion pasiv. Ish-presidenti 63-vjeçar i ka mohuar akuzat. Ai është mbajtur në paraburgim dy ditë, kohë gjatë të cilës është marrë në pyetje. Ai ka thënë se akuzuesit libianë po kërkojnë të hakmerren lidhur me vendimin e tij për të çuar aeroplanët luftarakë francezë gjatë kryengritjes që rrëzoi Gaddafin nga pushteti në vitin 2011.
Sipas “Le Figaro”, Sarkozi është shprehur para hetuesve se ai është i vetëdijshëm që akuzat kundër tij janë "serioze", por ato përbëjnë "shpifje" dhe ia kanë bërë jetën ferr që nga 11 marsi 2011, kur u akuzua fillimisht nga Gaddafi.
Paratë e Gaddafit
Në vitin 2013, Franca hapi një hetim për akuzat sipas të cilave në fushatën e zotit Sarkozi ishin hedhur miliona euro fonde të paligjshme nga Gadafi.
Ai dështoi në përpjekjen e tij për t'u rikthyer në postin e presidentit në vitin 2012, duke humbur përballë rivalit François Hollande.
Akuzat u hodhën fillimisht nga një biznesmen francez-libanez, Ziad Takieddine, dhe disa ish zyrtarë të regjimit të Gadafit.
Në nëntor 2016, Takieddine i tha faqes franceze të internetit “Mediapart” se në vitet 2006-2007 ai kishte dorëzuar tri valixhe të mbushura me prerje 200 dhe 500 euro për Sarkozy dhe Claude Guéant, i cili në atë kohë ishte shefi i stafit të tij. Z. Takieddine pretendoi se paratë dolën nga Gadafi dhe në total arritën në 5 milionë euro.



