Të dhënat e publikuara nga Zyra e Statistikave të Emigracionit në Britaninë e Madhe, tregojnë se numri i emigrantëve që kanë aplikuar për azil në vitin 2022 ka thyer rekord duke shkuar në rreth 16 mijë persona.
Ekspertja e çështjeve të emigracionit në IDM Armela Xhaho duke folur në edicionin e lajmeve në MCN TV i konsideroi si alarmante shifrat e të larguarve nga vendi.
Ajo u shpreh se përpos papunësisë dhe arsyeve ekonomike shqiptarët janë të zhgënjyer dhe nuk kanë besim te institucionet, apo siguri në vend.
Duke iu referuar statistikave Xhaho tha se 92 për qind e shqiptarëve të larguar nuk dëshirojnë të rikthehen.
Për një vend me më pak se 2,8 milionë, shifrat janë alarmante. Mënyra se si këta të rinj rrezikojnë veten e tyre. Pse ne nuk e kemi mbyllur ende këtë cikël tranzitor të emigracionit? Jo vetëm s’është mbyllur por është rivitalizuar, duke kulmuar në 2015-ën dhe akoma duan të largohen në mënyrë të dëshpëruar.
Arsyet janë nga më të ndryshmet, janë një konglomeradë faktorësh, shtytës dhe tërheqës. Te faktorët shtytës janë niveli i papunësisë, varfëria. Me Covid-in kemi rritje shumë të lartë të inflacionit. Sipas INSTAT-it shqiptari i duhen 40 për qind e rrogës për ushqime në 2022, në 2023 llogaritet që 60 për qind e rrogës kalon për konsum ushqimor. Është varfëria, papunësia te të rinjtë, shkon në shkallën 28 për qind. S’janë vetëm faktorët ekonomikë, por njerëzit janë të dëshpëruar.
Nëse emigrojnë në mënyrë të paligjshme mundësia për të fituar azil në Britani është shumë e ulët. Të rinjtë s’kanë më besim te institucionet. Shqiptarët janë të zhgënjyer. Flasim për sigurinë fizike. Sot shkojmë në një lokal dhe mund të marrim një plumb qorr. Pasiguria ushqimore, renditemi te vendet e parafundit. Investimet në arsim, 0,05 për qind për kërkim shkencor! Çfarë mund të bëjë një profesor?! U rrit rroga e mjekëve, shumë mirë që u rrit, por është shumë vonë. Kemi 1,2 mjekë për 1000 banorë! S’kemi specialistë në spitalet rajonale!”.
Ndër të tjera ajo vuri në dukje se ligji i ri në Britaninë e Madhe do të kriminalizojë azilantët, dhe kërkesa e azilit do të mohohet në mënyrë automatike.
Xhaho tha se në Shqipëri ka pasur edhe rikthime, kryesisht nga Greqia dhe Italia, por emigracioni neto mbetet i lartë.
Ajo shtoi se edhe emigrantët e kthyer janë shprehur të zhgënjyer përse kanë zgjedhur të investojnë në Shqipëri.
Nëse emigrohet në rrugë të ligjshme mundësia për t’u integruar është shumë e lartë. Mundësia për të gjetur punë është e lartë edhe në market të zi. Por Anglia është duke ashpërsuar ligjet për të frenuar emigracionin, por kjo prapë s’i pengon shqiptarët. Janë shumë të rrezikuar sidomos të miturit. Anglia filloi si trend. Të rinjtë joshen sepse s’kanë model pozitiv në zonën e tyre, që mund të arrijnë përmes punës, mosbesimi në institucioni. Shumica i çojnë vet prindërit te të afërmit për mbijetesë. Pjesa tjetër është përmes network-ve. Ku bien pre e trafikimeve seksuale, ekonomike. Jo të gjithë ata që shkojnë integrojnë. Me miratimin e ligjit të ri, që është shumë i debatueshëm edhe nga UNHCR, çdo shtetas që shkon në mënyrë të paligjshme përmes një shteti origjine do t’i mohohet automatikisht e drejta për azil. Ligji parashikon edhe kriminalizimit e atij që kërkon azil, që është në kundërshtim me parimin e Konventës së Gjenevës. Anglia do kriminalizojë kontrabandistët me 16 vite burg, dhe ata që shkojnë në mënyrë të parregullt. Por gjithmonë po e frenove, do gjenden mënyra. Në mos në Angli do shkojnë në një vend tjetër.
Rikthimet kanë filluar nga Greqia në fillimin e krizës në 2008. Flukset kanë qenë nga Greqia dhe Italia. Nga 2011-2020 kanë qenë 248 mijë të kthyer. Por përpos të të kthyerve, por emigracioni neto, mes atyre që largohen dhe atyre që vijnë, është prapë i lartë. Vendi po boshatiset. Ne s’do të shqetësoheshim nëse ky kapital njerëzor që ne na largohet, forca e krahut, rinia, njerëzit më energjikë, nëse do dëshironin të ktheheshin. 92 për qind e të larguarve nuk dëshiron të kthehet. Ka kthime dhe mund të them me plot bindje që pjesa më e madhe kanë qenë pesimist dhe të zhgënjyer pse kanë zgjedhur të investojnë në Shqipëri. Jo vetëm që s’kanë marrë iniciativat që u premtohen, por janë goditur më fort”.
Lidhur me retorikën e disa politikanëve britanikë, Xhaho thotë:
Ksenofobi ka në të gjithë botën, por është për të ardhur keq që në vitin 2023 dëgjon retorika të tilla me një gjuhë raciste, me një etiketim të padrejtë. Kjo shkaktoi diskurse dhe problematika të ashpra, rebelime nga ana e shqiptarëve që bëjnë punë të ndershme dhe s’mund t’i hedhin sy kësaj situate duke denigruar një popull të tërë për disa individë. Mendoj që është e padrejtë dhe duhet të kërkohet falje për këtë”.



