
“Facebook” duhet t’u japë prindërve akses në profilin e fëmijës, nëse ky i fundit vdes. Duket si një kërkesë në pritje të përgjigjes, por në fakt është një vendim gjykate. Pala paditëse kanë qenë prindërit e një vajze që ka ndërruar jetë 6 vjet më parë.
Vendimi i gjykatës federale të Karlsruhes shënon humbjen e betejës ligjore të kompanisë së themeluar nga Mark Zuckerberg, por edhe një kthesë vendimtare për të ardhmen, duke pasur parasysh në aspektin e trashëgimisë dixhitale, vendime të tilla janë ende pak dhe shpesh subjekt i kontradiktave shumëvjeçare.
Në vendimin e gjykatës argumentohet se letrat dhe ditarët trashëgohen nga prindërit në rast se fëmija ndërron jetë. Në këto kushte, gjykata vlerëson se nuk ka arsye për të penguar trashëgiminë e materialeve dixhitale.
Rasti në fjalë i përket vdekjes së një vajze 15-vjeçare. Në vitin 2012, ajo ra në binarët e metrosë dhe nuk u mor vesh kurrë nëse ishte vetëvrasje apo aksident.
Dy prindërit që fituan gjyqin shpresojnë se mund të gjejnë përgjigje në profilin e saj. Por edhe pse ata kishin fjalëkalimin, “Facebook” e kishte bllokuar llogarinë dhe për këtë ata iu drejtuan gjykatës.



