Për analistin dhe gazetarin Mustafa Nano, vendimi i Lulzim Bashës për t’i besuar drejtimin e qarkut të Lezhës, Mark Markut, një nga anëtarët e komisionit që skualifikoi kandidatët për deputetë të PD-së, kompromenton vetë strukturën. Në një analizë në studion e lajmeve në MCN TV, Nano tha se zgjedhja e Markut si individ është koherente, por detyra që ai ka mbajtur deri tani e kompromenton procesin.
“Kur shohim që anëtarë të asaj strukture të kandidojnë, kompromentohet procesi. Sa për Markun, është zgjedhje koherente. Ai ka qenë zëri televiziv i PD për 8 vjet me radhë. Është një zgjedhje koherente. Nuk e di reputacionin e Markut në ato zona por si zgjedhje është koherente”, tha ai.
Sa u takon listave të zgjedhjeve në Kosovë dhe mungesës së Isa Mustafës në to, Nano tha se ky është një zhvillim pozitiv.
“Fakti që Isa Mustafa ka bërë mënjanë për t’u hapur rrugë gjeneratave të reja është gjë e mirë”, tha ai.



