
Të prodhosh tinguj elektronikë me gojë është më shumë se thjesht talent.
Këtë e ka dëshmuar 15-vjeçari Fatmir Rustaj, i cili, i ftuar në programin e mëngjesit “Zgjohu me MCN”, tregon se si e zbuloi këtë talent te vetja dhe aftësinë për të krijuar tinguj me fyt duke formuar një melodi me zë.
Unë luaj me ritmin dhe e përdor dorën për të krijuar ndërrime në zë, për ta tronditur dhe për ta mbajtur ritmin, ndërsa me dorë jap ritmin e vibrimit.
Fatmiri shpjegon se ka filluar të bëjë beatbox që në moshën 10 vjeçare, pasi e kishte parë në programin "America's Got Talent".
Kur e pashë për herë të parë, e provova dhe e bëra që herën e parë. Pas kësaj, e pasurova më shumë dhe shtova elemente të tjera.
Kam praktikuar këtë art edhe në familje, duke e ndarë me motrat e mija, fillimisht vetëm melodi dhe më pas e kam zhvilluar më tej.
Pjesa më e vështirë është kur shton sa më shumë elemente të tjera në beatbox, veçanërisht pjesët e basit dhe të zërit, të cilat duhet të alternohen me njëra-tjetrën.
Për Fatmirin, beatbox është një hobi që e shijon shumë. Megjithatë, synimi i tij është që një ditë të bëhet këngëtar.



