Kryeministri Edi Rama i nisi aktivitetet e Ditës së Verës me përurimin e Pazarit të Ri. Në fjalën e tij para të pranishmëve, Rama tha se vetëm dy vjet më parë, gjendja e pazarit ishte njësoj si para një shekulli.
“Duke menduar për ditën e sotme po lexoja disa gjëra për Tiranën e vjetër dhe gjeta një përshkrim që bënte një gazetë në vitin 1900 e ca. Thoshte se nëse bën një xhiro nga këto anë, është e sigurtë që qerpikët e tu do të mbulohen me pluhur. Më pas po ky vëzhgim bëhej për pazarin e ri edhe në një të përditshme shqiptare në vitin 2014. Pra vetëm 3 vjet më parë, ne ishim akoma 100 vjet më parë. Këtu çdonjëri përpiqej të mbijetonte në tezgën e vet mes pluhurit, mizave dhe gropave. Por sot mund të shikoni këtu çfarë fuqie ka vota, çfarë fuqie ka pjesëmarrja e të gjithëve në procesin e qeverisjes vendore duke bërë zgjedhjen e duhur. Përfytyroni sikur bashkia të mos ishte kthyer nga një konvikt me një dhomë të madhe gjumi ku gërhiste kryetari i bashkisë në një qytet që ndryshon çdo ditë”, tha ai.
Kreu i qeverisë tha se pas rikonstruksionit të Pazarit të Ri, që do të bëhet strehë e 308 tregtarëve, kryeqytetit do t’i shtohen edhe 20 shkolla të reja.
“Si ky pazar edhe 20 shkolla të reja. Do t’i japim fund historisë së turneve, mungesës së kushteve në shkolla”, tha ai.



