Ministri Blendi Gonxhja dhe drejtuesja e Korporatës Shqiptare të Investimeve Elira Kokona do të thirren në SPAK për t’u pyetur në lidhje me hetimin e ri të nisur për Durana Tech Park, ku ka dyshime për evazion fiskal dhe shpërdorim detyre, raporton për Mcn Live gazetari Arsen Rusta.
“Në vijim të hetimeve, SPAK ka hapur një tjetër fraksion që lidhet me ‘Durana Park’, me dyshimet për evazion fiskal dhe shpërdorim detyre, në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal. Rezulton që kompani aktive në teknologji informacioni, por jo vetëm, me eksperiencë prej shumë vitesh, të regjistruara në kryeqytet, por jo vetëm, kanë krijuar një skemë për të shmangur taksat, pasi Durana Park një investim i Korporatës së Investimeve Shqiptare me administrim të Elira Kokonës dhe në pronësi të shtetit, u ka dhënë mundësinë këtyre bizneseve të krijojnë nipte sekondare, apo nipte të reja, për të faturuar shërbime apo punë, sikur kryheshin nga selia e tyre në Xhafzotaj të Durrësit në të njohurën Durana Tech Park.
Sipas verifikimeve paraprake është një zonë me ferra e shkurre, nuk ka asnjë portë hyrëse dhe dalëse, por ka mbi 50 subjekte që kanë adresën e ushtrimit të aktivitetit në Durana Tech Park. Rezulton që është ish-pronë e RTSH, përkatësisht nënstacionit të transmetimit. Me vendim të qeverisë shqiptare i është hequr RTSH-së dhe i ka kaluar Korporatës së Investimeve, që me përfaqësuese Elira Kokona ka vijuar të lidhë kontrata me subjekte tregtare. Adresa e mbi 50 subjekteve rezulton Xhafzotaj, edhe pse aty s’ka asnjë subjekt fizik tregtar.
Gjithçka sipas hetimeve rezulton që është bërë për të shmangur taksat, për të përfituar 15 vite pa tatim/taksa për tatim/fitim, për të përfituar edhe leje qëndrimi të menjëhershme për punëtorë të huaj. Mcn Live ka mësuar se dy zyrtarët e parë që do pyeten në lidhje me projektimin, ecurinë, reklamimin dhe promovimin e Durana Tech Park, janë ish-ministri Blendi Gonxhe dhe drejtuesja e Korporatës së Investimeve Elira Kokona, që është edhe pronari përfaqësues i shtetit shqiptar”.



