Gazetari Klodian Tomorri thotë se anulimi i mundshëm i koncesioneve, do të nxirrte në pah dy probleme. E para dhe më e rëndësishmja: do të sillte përballjen e shtetit me kompanitë në arbitrazh, që do të thotë kosto e mundshme financiare që rëndon në buxhetin e shtetit; dhe e dyta: anulimi do të rrëzonte përfundimisht projektin 1 miliard euro për rindërtimin, që qeveria e shpalli me shumë bujë dy vite më parë.
“Nëse qeveria i anulon veprat, mund të themi dy gjëra: që projekti 1 miliard euro i rindërtimin, i kthyer në kalin e betejave të politikave ekonomike të qeverisë, tashmë ka rënë totalisht, përjashtuar Rrugën e Arbrit. E dyta që duhet theksuar është se çfarë fature u vjen qytetarëve nga anulimi i këtyre dy koncesioneve në rast se qeveria nuk ka ndjekur procedurat e duhura. Kontratat janë miratuar në Parlament dhe miratimi i tyre u jep të drejtën kompanive të shkojnë në arbitrazh. Mendoj që nëse një prej tyre shkon në arbitrazh me një kontratë të miratuar në Parlament dhe më pas të anuluar nga shteti, shanset që Shqipëia të dëmtohet janë të rënda. Por deri tani jemi në fazën e analizës intuitive”, tha ai.
Në një analizë në studion e lajmeve në TvT, Tomorri tha se mbetet ende e paqartë nëse qeveria i ka anuluar apo jo koncesionet për rrugët Milot-Balldren dhe Orikum-Dukat.
“Deri tani nuk ka informacion përveç deklaratës së Ministres së Infrastrukturës për anulimin e dy kontratave. A ishte një lapsus apo qeveria po mendon t’i anulojë, deri tani nuk e dimë. Nga qeveria vijnë informacione kontradiktore. Situata është e paqartë, do të shohim kur të dalë urdhri apo akti përkatës”, tha ai.
Sa i takon rrugës Milot-Balldren, Tomorri tha se kontrata ishte e destinuar të dështonte.
“Në rastin e kontratës së parë, Milot-Balldren, gjasat ishin që kishte filluar të shkonte drejt dështimit edhe pa anulim. Në kontratë parashikohej që kompania të siguronte brenda një viti financimin e rrugës. Ishte një kontratë e vdekur që do të shkonte drejt dështimit. Një kusht që ka rezultuar i paarritshëm për kompanitë, që nuk ka arritur të gjejë paratë për të financuar veprën”, tha ai.
Ndërsa në rastin e koncesionit për rrugën Orikum-Dukat, sipas Tomorrit, situata është ndryshe.
“Në vlerë, vepra është më e vogël, është një koncesion për të cilën është financuar totalisht përmes dy bankave vendase. Në mos gaboj, sipas ndërtimi i kësaj rruge parashikonte 25 milionë euro financim përmes kredive bankare”, tha ai.
Ndërsa në lidhje me tenderin e shpallur pak kohë më parë nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Infomacionit për blerje pajisjesh, Tomorri tha se një nismë e tillë është e palogjikshme dhe në kufijtë e paturpësisë.
“Në kushtet kur Shqipëria po përballet me krizë, ekonomia është bllokuar, kur mijëra biznese e qytetarë janë të papunë dhe në dilemë nëse do të arrijnë të financojnë shpenzimet, të bësh një tender 1.4 milionë dollarë për të blerë gjëra krejt të panevojshme në këtë kohë tregon se qeveria paska para pa fund. Por ne e dimë që qeveria nuk ka para. Atëherë pse bëhet. Dëshirë e AKSHI-t për të bërë para?”, tha ai.



