
Greqia planifikon të stimulojë përdorimin e makinave elektrike. Incentivat që qeveria planifikon të vërë në zbatim kanë të bëjnë me shkurtim të taksave, subvencionim të çmimeve dhe madje edhe parkim falas. Po ashtu, ka plane për të lidhur turizmin e vendit me transportin elektrik.
Orientimi i qytetarëve drejt përdorimit të makinave elektrike dhe gazit natyror në transport, së bashku me zgjerimin e përdorimit të karburantit bio, janë pjesë e një plani që synon reduktimin e emetimeve të gazeve ndotëse, bëri të ditur ministri i Mjedisit dhe Energjisë, Kostis Hatzidakis.
“Në ishuj, makinat elektrike nuk kanë asnjë problem autonomieë. Ia vlen të shtohet transporti pa ndotje në ishujt tanë të njohur për turistët e huaj", tha ai.
Synimi i Planit Kombëtar për Energjinë dhe Klimën është që, deri në vitin 2030, një në tre automjete të reja të jetë elektrike.
Hatzidakis thotë se ky synim mund të duket ambicioz sot, por vuri në dukje se zhvillimet dhe përparimi teknologjik mund ta tejkalojnë këtë objektiv në të ardhmen.
Plani kombëtar parashikon zhvillimin e 8 stacioneve të karburantit LNG dhe 55 stacione të karburantit CNG deri në vitin 2030 (nga 15 aktualisht).
Duke iu drejtuar konferencës, Alexandra Sdoukou, sekretare e përgjithshme e Energjisë dhe Lëndëve të Para, tha se Ministria e Mjedisit dhe Energjisë po shqyrton planet për stimuj financiarë për blerjen e makinave elektrike (ulje taksash dhe tarifa më të ulëta, ose subvencionimin e çmimit të blerjes) së bashku me stimuj të tjerë për të lehtësuar përdorimin e tyre, siç është parkimi falas.
Ajo vuri në dukje se veturat elektrike përbënin më pak se 1.0 për qind të shitjeve totale të makinave në vitin 2019 në Greqi dhe theksoi se sipas të dhënave të BE-së, Athina - së bashku me Milanon - kanë nivelin më të lartë të emetimeve nga transporti dhe automjetet dhe kjo lidhet me faktin se Greqia është njëra prej vendeve me flotën e makinave më të vjetra në Bashkimin Europian.
Incentivat që favorizojnë makinat elektrike, si më miqësore me mjedisin, janë prezantuar dy vjet më parë edhe në Itali.



