
Abdulla Xhabir, një qytetar shqiptar që jeton në Gaza tha përmes një lidhje “Skype” me studion e MCN Live se numri i viktimave në spitalin në Gaza është rritur në 810.
Duke vijuar më tej me rrëfimin e tij, Xhabir tha se ka 2 ditë që Izraeli po kërcënon spitalet dhe vendet civile në mënyrë që të frikësojë palestinezët që të largohen nga vendet e tyre.
Janë 810 viktima, kështu kemi dëgjuar nga lajmet lokale. Janë vrarë 810 persona brenda spitalit në Gaza. Është goditje me avion.
Izraeli ka dy ditë që po kërcënon spitalet dhe vendet civile. Kjo është politikë e Izraelit për të trembur njerëzit, që të lëvizin nga vendi.
Izraeli gënjen dhe vret fëmijët. Po flemë poshtë bombave, çdo natë hidhen bomba. Do të bëjnë prap masakra.
Jemi 6 familje në një apartament të vogël, nuk është vend i sigurtë. Shtëpia ime ishte goditur dy herë. Këtu ku jemi ne nuk lejohet të futen armë sepse është vend për refugjatë, por hidhen bomba. Mediat në Izrael janë gënjeshtarë.
Ata duan të trembin palestinezët që të largohen nga tokat e tyre siç kanë bërë në 1948.
Në telefonin tim më ka ardhur gati 100 herë një mesazh dhe më kanë thënë largohuni, ikni nga jugu. Unë nuk iki dot, kam mamin tim shumë sëmurë dhe burrin e motrës po ashtu. S’kemi makina t’i marrim.
Janë vrarë njerëzit në dy autobusë që kalojnë në vendet e sigurta. Edhe vendet e sigurta janë goditur.
Më tej Xhabir tha se nuk ka shtëpi në Gaza që nuk ka humbur një pjesëtar të familjes apo një person që njeh.
Nuk ka shtëpi këtu që nuk ka humbur një person të dashur, apo një person të njohur.
Nuk ka një person këtu në Palestinë që është gati të lëshojë tokën e vet. Unë në '94 kam shkuar në shtëpi dhe takova gruan dhe bëmë fëmijët. Palestina jonë është shumë e bukur. Para ’48 ne kemi qenë vendi më i pasur, dhe më modern.
Ne nuk e lëshojmë tokën, nuk dorëzohemi.



