
Elon Musk tha se përdorimi i ketaminës për të ishte e dobishme për kompaninë e tij, Tesla.
Musk tha se kjo lloj droge e ndihmon atë të menaxhojë një "gjendje kimike negative në trurin e tij”, që është e ngjashme me depresionin.
"Nga këndvështrimi i Wall Street, ajo që ka rëndësi është puna ime," tha Musk, i cili drejton prodhuesin e automjeteve, kompaninë e raketave SpaceX dhe platformën e mediave sociale X.
Musk argumentoi se Tesla vlente aq sa pjesa tjetër e industrisë së makinave së bashku.
"Për investitorët, nëse ka diçka që jam duke e konsumuar, duhet të vazhdoj ta konsumoj sepse kam dhënë rezultate të mira".
Një hetim i Wall Street Journal i botuar në janar tha se Musk kishte përdorur drogë duke përfshirë LSD, kokainë, ekstazi dhe kërpudha psikodelike, duke shqetësuar drejtuesit dhe anëtarët e bordit në kompanitë e tij.
Raporti ngriti shqetësime se përdorimi i paligjshëm i drogës ka të ngjarë të jetë një shkelje e politikave federale që mund të rrezikojë kontratat qeveritare të SpaceX.
Gazeta, duke cituar njerëz të njohur me këtë çështje, raportoi se një drejtoreshë e Tesla-s u zhgënjye aq shumë me sjelljen e Musk, saqë ajo nuk kandidoi për t'u rizgjedhur në bord në vitin 2019.
Musk iu përgjigj raportit të Journal në X në janar, duke thënë se ai ra dakord për tre vjet testim të rastësishëm të drogës me kërkesë të Administratës Kombëtare të Aeronautikës dhe Hapësirës, e cila është partnere me SpaceX.
"Nuk u gjetën as sasi gjurmë të ndonjë droge apo alkooli," tha Musk.
Musk tha se kishte një recetë të mjekut për ketaminë. Miliarderi vlerësoi se ai merrte "një sasi të vogël çdo javë".



