
Institucioni kundër korrupsionit në BE kritikon reformën në sistemin e drejtësisë në Rumani. Ndryshimet e parashikuara në sistemin gjyqësor në kuadër të kësaj reforme do të bien ndesh me standardet europiane, thuhet në një reagim të organit të Këshillit të Europës.
Plani i Parlamentit rumun për të zgjedhur një prokuror special që do të hetojë shkeljet e kryera nga magjistratët mund të keqpërdoret lehtësisht, thuhet në një njoftim të shpërndarë të mërkurën.
Grupi i Shtetit kundër Korrupsionit në Këshillin e Europës, GRECO, kritikoi gjithashtu planet për të shtuar në listën e shkeljeve edhe “abuzimin me pushtetin gjyqësor”, me dënim deri në 7 vjet burg.
"Jo vetëm që kjo përcjell mesazhin e gabuar në lidhje me përparësitë aktuale të Rumanisë, por mund të ketë një efekt tepër kërcënues në punën e gjyqtarëve dhe prokurorëve", thuhet në raportin e GRECO-s.
Ndryshimet, që përfshijnë tre ligje të drejtësisë, u miratuan nga Parlamenti rumun në fund të vitit të kaluar dhe u pa si në Rumani, edhe në Bruksel, një përpjekje nga koalicioni qeverisës për të lënë pa ndëshkuar korrupsionin politik. Sipas raportit, procesi ishte i nxituar dhe jo transparent.
Përfaqësuesit e Partisë Social-Demokrate në pushtet (PSD) dhe partneri i saj liberal-demokrat, ALDE, kanë thënë se ndryshimet kanë për qëllim reformimin e një sistemi të drejtësisë, i cili funksionon sipas rregullave të vjetra dhe ka goditur shumë rëndë rastet e korrupsionit në të kaluarën.
Gjykata Kushtetuese hodhi poshtë disa nga ndryshimet e planifikuara më parë këtë vit. Ligjet po shqyrtohen tani nga Senati Rumun. Megjithatë, GRECO tha në raportin e saj se nuk pret që kjo do të ndikojë ndjeshëm në drejtimin e ndryshimeve.



