Avokati Redi Ramaj për skemën e mashtrimit online “Xuex” thotë se është tipike e skemave piramidale të ndodhur dhe në 1997 në Shqipëri, kur dhe në ditët e fundit kur u kuptua se vidheshin para, sërish depozitoheshin para dhe e njëjta gjë ndodhi dhe tani.
Nga studio e emisionit “FactCheck” në MCN TV, ai foli për plagën sociale që krijohet, ku nga ideja e fitimit të shpejtë, qytetarët bien pre e mashtrimit.
Besoj se këta individë janë njerëz që kanë një mbështetje lokale mbase dhe qendrore dhe duhet të kenë krijuar një lloj klani dhe lobimi në atë zonë, duke krijuar një lloj besimi.
Kjo kompani duhet të ketë një NIPT, një marrëdhënie periodike me kompani të tjera dhe më pas ti të kesh një minimum besimi për të depozituar para. Por në Shqipëri veprojnë dhe kompani të ligjshme por janë të regjistruara, kanë agjentë të mirëfilltë dhe veprojnë sipas ligjeve të shtetit shqiptar, ky nuk është rasti. Siç në këtë rast veprohet përmes një bar kafeje.
Nuk është fenomen vetëm shqiptar, edhe jashtë kanë ndodhur, ku firma të mëdha kanë humbur shumë para dhe kanë sjellë plagë sociale dhe problematika, por ne si shqiptarë duke e pasur të feksët tragjedinë e 1997 duhet të ishim më të kujdesshëm në dhënien e këtyre parave, se kush janë këta individë, kanë dokument të rregullt ligjor?
Dokumentet janë personale dhe duhet të jenë tek të zotët ose nëse harrohen, duhet të mbeten në bankë jo ti marrë ish-punonjësja e bankës me vete. Por hetimet do të zbulojnë nëse këto dokumente janë përdorur për çështje të tjera.
Më bën përshtypje fakt që nëpërmjet bankave të nivelit të dytë ata kanë qarkulluar para, në një kohë që bankat duhet të raportonin këto veprime të dyshimta të pastrimit të parave.
Nëse nuk identifikohet se nga kanë ardhur këto para dhe pse vijnë në llogari të një qytetari, nëse nuk vijnë nga një institucion financiar shqiptar apo institucion i huaj, banka ka detyrim të bëjë një raportim se ka diçka që nuk shkon.
Këtu janë përfshirë shumë individë që kanë thirrur njeri tjetrin për të pasur fitim të shpejtë. Punonjësit e bankës kanë pasur përfitime nga veprimtaria e klientëve të tyre dhe joshja e fitimit të shpejtë i prek të gjithë.
Nga depozitimi i 1 mijë dollarëve këta kanë përfituar pas një muaji 2 apo 3 mijë.
Kanë vepruar duke gjetur një zonë lokale si Lushnja, ku në Divjakë janë 580 persona, po sa mund të jenë në zona të tjera të Shqipërisë.



