
Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviç, u është drejtuar sot deputetëve në Parlament duke u thënë se po tentojnë ta rrëzojnë pasi i shqetëson fakti që është shqiptar.
“Që në ditën e parë u ka shqetësuar fakti që jam pjesëtar i një kombi pakicë (shqiptar) . Unë jam kryeministër që merr vendime të vështira, që mbrojti interesat kombëtare edhe pas 30 gushtit 2020, që ruajti kursin e politikës së jashtme”, ka thënë ai.
Kujtojmë që ishte Partia Demokratike Socialiste e Milo Gjukanoviçit që kërkoi mocion për rrëzimin e kryeministrit. Janë 36 nënshkrime të mbledhura deri më tani nga deputetët për thirrjen e kësaj seance, ndërsa duhen edhe 5 të tjera.
Mocioni i mosbesimit ndaj qeverisë u kërkua pas marrëveshjes së Abazoviç me Kishën Ortodokse Serbe.



