
Kancelarja gjermane Angela Merkel, i ka bërë të ditur presidentit serb, Aleksandar Vuçiç, se negociatat për anëtarësimin e Serbisë në BE mund të jenë të suksesshme nëse ky vend i zhvillon reformat dhe në qoftë se rregullon çështjen e marrëdhënieve me Kosovën.
“Negociatat për anëtarësim mund të jenë të suksesshme në qoftë se zhvillohen më tej reformat në sferën e sundimit të ligjit dhe në zgjidhjen e çështjes së marrëdhënieve me Kosovën. Ne kemi trajtuar pjesërisht çështjen se si mund të arrijmë në kornizën ligjore, dhe zgjidhjes kontraktuale për Kosovën”, ka thënë kancelarja gjermane Angela Merkel, pas takimit me presidentin serb, Aleksandar Vuçiç, i cili ndodhet në një vizitë zyrtare në Gjermani, raporton media e Beogradit B92.
E pyetur nëse marrëveshja e obligative ligjore me Kosovën do të thotë njohjen e Kosovës nga Serbia, kancelarja Merkel tha se tha se “sa i përket pritshmërive që kanë të bëjnë me Kosovën nuk jam unë ajo që do të përshkruaj se çfarë duhet të ndodhë, çfarë është e dëshirueshme dhe çfarë duhet bërë”.
“Nismat vijnë nga Serbia. Presidenti i Serbisë është ai që është akteri kryesor”, tha Merkel.
“Ne po flasim për këtë dhe mbështesim gjërat kur kërkohet ndihma jonë. Por, unë nuk do të ndaj këshilla, sidomos jo në publik”, tha Merkel.
Kancelarja gjermani tha se duhet të zgjidhet një numër çështjesh në rajon dhe theksoi se Berlini zyrtar vlerëson pjesëmarrjen e presidentit Vuçiq në lidhje me bashkëpunimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Nga ana tjetër presidenti Vuçiç theksoi gatishmërinë për një kompromis me Kosovën, por deklaroi se është e papranueshme që vetëm Serbia të dalë e humbur.
"E dimë që kemi shumë për të bërë për të zgjidhur pengesat në marrëdhënien mes Beogradit dhe Prishtinës. Serbia është gati për një kompromis ku të dyja palët të humbasin diçka, edhe nëse nuk janë të kënaqura. Nuk mund të pranojmë që Serbia të jetë humbësja e vetme”, tha Vuçiç.
Kreu i shetit serb deklaroi se ne e dimë se që kemi detyra të vështira përpara, por unë i jam mirënjohës Merkel për mbështetjen. Ne besojmë në kompromis, jo zgjidhje të njëanshme, ne besojmë te mbështetja e Gjermanisë.



