Policia Kufitare e Korçës ka nisur procedim penal për A.M., 24 vjeç dhe ka shpallur në kërkim një 27-vjeçar me iniciale P.T. nga fshati Gollomboç, i Korçës.
Veprimet e policisë kanë ardhur pasi rreth orës 23:20 të një nate më parë, patrulla e Policisë Kufitare e Postës së Pustecit, në rrugën nacionale Gorricë - Korçë, konstatoi një automjet dhe i ka bërë shenjë të ndalonte, por mjeti nuk është bindur.
Patrulla e Policisë Kufitare është vënë në ndjekje dhe ka bllokuar makinën me targa të huaja të braktisur në fshatin Diellas, Pustec.
Mësohet se brenda automjetit u gjetën mallra të ndryshme ushqimore, për të cilat paguhet akcizë.
Dy personat akuzohen për veprën penale “Kontrabandë me mallra të tjera” parashikuar nga neni 174, si dhe “Mosbindje ndaj urdhrit të punonjësit të Policisë”.
Policia thotë se po vijojnë hetimet për të zbuluar nëse ka të implikuar të tjerë në këtë veprimtari.



