
Rënia e masiveve të gurëve dhe dherave ka shkaktuar sërish probleme në aksin rrugor kombëtar Librazhd-Hotolisht gjatë natës së kaluar.
Ngjarja është shënuar rreth mesnatës, pranë një kompleksi, rreth 2 kilometra larg qendrës së fshatit Hotolisht. Nga shpati i kodrës janë shkëputur masive gurësh dhe dherash, të cilat kanë përfunduar në trasenë e rrugës kombëtare.
Një sasi e konsiderueshme gurësh dhe dherash ka mbuluar rrugën, duke penguar përkohësisht qarkullimin e automjeteve.
Fatmirësisht, në momentin e rrëshqitjes nuk ka pasur automjete që po kalonin në këtë segment, duke shmangur një tjetër ngjarje të rëndë.
Segmenti rrugor ka qëndruar i bllokuar për rreth gjysmë ore. Në vendngjarje ndodheshin edhe dhjetëra persona, të cilët po qëndronin në një prej lokaleve të kompleksit pranë zonës së rrëshqitjes dhe që sinjalizuan autoritetet për ngjarjen.
Policia dhe strukturat e emergjencave civile mbërritën në vendngjarje dhe morën masat e nevojshme për menaxhimin e situatës dhe rikthimin e normalitetit në qarkullim.
Aksi Librazhd–Hotolisht është përballur edhe më herët me problematika të ngjashme, për shkak të terrenit të thepisur dhe rënies së shpeshtë të masiveve shkëmbore.
Vetëm pak javë më parë, në të njëjtën zonë, rënia e një masivi shkëmbor mbi një automjet i mori jetën një 42-vjeçari nga Gjergjani i Elbasanit.
Rëniet e shpeshta të gurëve dhe dherave në këtë segment vijojnë të përbëjnë një shqetësim serioz për sigurinë e drejtuesve të automjeteve dhe banorëve që lëvizin përgjatë aksit Librazhd–Hotolisht.



