Pse Greqia këmbëngul të dëmshpërblehet nga Gjermania

Pse Greqia këmbëngul të dëmshpërblehet nga Gjermania

Pas një debati 12 orësh parlamenti grek miratoi dje me shumicë votash vendimin për t’i kërkuar zyrtarisht dëmshpërblim Gjermanisë për dëmet e shkaktuara gjatë dy luftërave botërore.

Sipas Gjermanisë, kjo çështje  ka kohë që është zgjidhur, që në vitin e largët 1967, kur Gjermania i pagoi Greqisë 115 milionë marka gjermane dëmshpërblim për vuajtjet e luftës.

Dëmshpërblimi kërkohet prej dekadash

Dëmshpërblimi diskutohet prej shumë kohësh në Greqi, sidomos dekadën e fundit pas fillimit të krizës ekonomike dhe është hera e parë që votohet në parlament për këtë çështje.

Shuma e kërkuar arrin mbi 300 miliardë euro, ndër të cilat 292 miliardë euro kërkohen për dëmet e Luftës së Dytë Botërore dhe 9.2 miliardë për Luftën e Parë Botërore.

- Dëmshpërblim lufte për dëmet materiale katastrofike dhe për shkatërrimin e vendit.

- Dëmshpërblim për viktimat dhe të afërmit e viktimave të krimeve të luftës.

- Pagimin e huasë së detyruar.

- Kthimin e thesareve arkeologjike të vjedhura.

Kryeministri Cipras u shpreh se kërkesa për dëmshpërblim lufte nuk është e re dhe nuk është e vetëm e qeverisë së Sirizas, sepse:

 “…që nga 1984 e gjer më 2015 nuk e drejtonte Siriza vendin. Tema që po diskutohet sot nuk ka të bëjë me diçka që ka ngjarë gjashtë muajt e parë të qeverisjes Siriza, nuk është llogaria Varufakis. Është një çështje shumë e rëndësishme historike për Greqinë, për Evropën, për të gjithë botën. “

“E keqja absolute” është ende këtu

 “Kjo kërkesë është detyra jonë morale dhe historike”, është shprehur kryeministri Aleksandër Cipras në fjalimin që mbajti në parlament. Një fjalim, i cili i mëshoi fort detyrës dhe nevojës për të mos harruar dëmin e pallogaritshëm që shkaktuan luftërat në Greqi, Evropë dhe në të gjithë botën. Ai tha se duhet kujtuar, mbi të gjitha për arsyen madhore se “e keqja absolute” (siç e quajti ai) ekstremi i djathtë, nacionalizmi, nazizmi, nuk është shkulur me rrënjë nga bota e për fat të keq as nga Greqia. Ai e drejtoi gishtin nga vendet bosh në sallë ku mungonin deputetët e “Agimit të Artë” duke i quajtur ata turp për kombin dhe historinë e tij.

“…Ajo që ka rëndësi sot është që të matemi me historinë, sepse është një takim historik, është një takim… për sa i përket temës së nazizmit dhe të racizmit në Greqi, në Evropë, në botë…. Kudo ku humbën jetën e tyre mijëra njerëz. Është një takim për nder të heronjve të Luftës së Dytë Botërore që luftuan dhe vdiqën për lirinë tyre dhe të atdheut të tyre kundër nazistëve dhe fashistëve.

Të përkujtojmë dhe të nderojmë me respekt të gjithë ata që e kundërshtuan dhe i qëndruan fashizimit e nazizmit, t’i përkujtojmë jo si heronj të së shkuarës, por si simbole të së ardhmes. Sot më shumë se kurrë. Pse? Sepse armiqtë e lirisë po ngrenë kokë sërish në Evropë, dhe fatkeqësisht ka një krah të tyre këtu brenda në parlament, vendi i të cilëve është bosh tani. Por që kanë pasur guximin të ngjiten në këtë foltore dhe të flasin dhe nuk e kanë ndërmendur asnjëherë fjalën nazist dhe nazizëm, sepse janë të njëjtë dhe ky është turp për historinë greke që një pjesë e madhe e popullit të vuajtur grek i jep mundësinë të gjendet të jetë përfaqësues i publikut sot. Dhe është turp e faj për historinë e popullit tonë kjo. (Duartrokitje).

…Sot dhe në Greqi, por dhe në gjithë Evropën ekstremi i djathtë, nacionalizmi, racizmi, nazizmi kërcënojnë të udhëheqin, të helmojnë dhe të ngrihen sërish. Kërcënojnë ta kthejnë Evropën pas në errësirën e urrejtjes dhe duke vënë në rrezik arritjet e këtyre 70 e ca viteve, vetë Evropën e bashkuar, vetë demokracinë.

Dhe kjo është diçka që nuk duhet ta lejojmë. Dhe le të jetë ky një mesazh që duhet të përcillet nga ky kuvend, ta dëgjojnë të gjithë qytetarët e vendit dhe të Evropës mbarë të përballemi me arsyen e borxhit tonë, të përcjellim mesazh paqeje dhe miqësie, jo urrejtjeje dhe mesazh të fitores së kujtesës kundër harresës, mesazh për plagët e thella që la lufta dhe tmerri në Greqi dhe Evropë…”

Ne nuk vëmë në peshore gjakun e viktimave me detyrimet…

Cipras theksoi sërish se fakti që këtë kërkesë do ta patrashtrojnë tani që vendi nuk e ka më mbi supe njësoj peshën e huasë, provon se ajo nuk bëhet për të larë borxhe, por për dinjitetin e vetë popullit dhe jo vetëm të atij grek.

“Nuk mund të barazohen viktimat me agresorët dhe këtë e kam detyrim ta them, sepse disa u përpoqën ta bënin këtë.

Disa guxuan të thonë më 2015 që gjoja Greqia po përdor dëmet nga krimet e kluftës për të rregulluar problemet e saj të krizës dhe vendin në Evropë.

Ndoshta kjo atëherë u përdor, por sot ne duam të tregojmë se populli ynë ka më shumë dinjitet dhe krenari për të negociuar diçka të tillë...

Nuk mund të vendoset asnjëherë në një peshore e keqja absolute e nazizmit, sepse diçka e tillë do të ishte fyerje për vetë viktimat e nazizmit, historinë, kujtesën, qëndresën, rrugën tonë historike të vetes e të atdheut tonë.

Kjo temë hapet sërish sot, pikërisht sot, sepse vendi nuk gjendet në programe e komisione, sot vendi nuk gjendet nën peshën e rëndë të huave e të detyrimeve, që të vihen në peshore...

Asnjë krim, asnjë pikë gjaku nuk mund dhe nuk do të hyjë në peshore për ndonjë negocim a pagesë.”

Besojmë në dialogun e përbashkët

“…Dihej si ishte në atë kohë, marrëdhënia me Gjermaninë, për shkak të  pozicionit të saj të veçantë në BE, teksa ne mbanim peshën e rëndë të borxheve, për të cilat, shumica e popullit grek (jo pa të drejtë) e bënte fajtore, madje dhe shumë prej popullit gjerman mendonte kështu.

Pretendimet e disa politikanëve gjermanë e me radhë do t’i gjykojë vetë historia.

Besojmë se mund të kemi një marrëdhënie të konsiderueshme dhe të natyrshme përtej kujtimeve, mund të kemi një hapësirë dialogu dhe bashkëpunimi.

Ky është fillimi, për të hapur dialogun për një çështje delikate dhe shumë të ngarkuar.

Që të mund të ndërtojmë një të ardhme të denjë, është e nevojshme që të mbyllim çështjet e hapura të së shkuarës dhe kështu duhet të bëjë edhe Gjermania.

…E kuptoj pozicionin e Gjermanisë në këtë histori, për një faj që po përndjek edhe tani të gjithë brezat që fundja nuk kanë asnjë faj.

…Sot është mundësia t’u japim shansin popujve tanë ta mbyllin këtë kapitull… I them këto se na ndjek jo vetëm publiku grek, por edhe ai i Gjermanisë…”, tha ndër të tjera kryeministri i Greqisë Aleksis Cipras.

Reagimi

Në Berlin, zëdhënësi Steffen Seibert është shprehur se pozicioni i Gjermanisë nuk ka ndryshuar dhe se kjo çështje e konsiderohet e zgjidhur tashmë.

përgatiti Erina Çoku

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy