Kryetari i Gjykatës Kushtetuese pranon se variantet e ndryshimeve kushtetuese dhe ligjit të vettingut që janë dërguar në Komisionin e Venecias kanë ndryshime me variantet e miratuara në Kuvend. Por ai sqaron se ndryshimet nuk janë thelbësore dhe nuk prekin përmbajtjen e ligjit. Në një intervistë për “Mapo”, Bashkim Dedja shprehet se variant i dërguar në Komisionin e Venecias ka disa pasaktësi, të cilat nuk përbëjnë asnjë problem.
“Ai është varianti që e kanë përkthyer ata. U pretendua se ka disa pasaktësi në të dhe ne u detyruam të bëjmë verifikimin dhe kishte disa gjëra, të cilat nuk ndryshojnë thelbin e ligjit dhe asnjë problem”. Dedja bën me dije se tashmë për të shmangur çdo keqinterpretim, Gjykata ka marrë disa përkthyes të licencuar dhe që kanë bërë një përkthim zyrtar të ligjit dhe që i është nisur tashmë Komisionit të Venecias.
Dedja thotë se lidhur me këto pasaktësi, gjykata u vu në lëvizje pas kërkesës së PD-së.
“Po, kërkesa ishte e atyre që kishin vënë në lëvizje Gjykatën dhe thanë që kemi verifikuar që ka një pasaktësi në terma duke patur parasysh ligjin që është në faqe të Venecias dhe ligjin që është në faqe të EURALIUS”.
Por Dedja shprehet se marrja e një vendimi nga Komisioni i Venecias brenda datës 15 dhjetor është e pamundur. “S’ka mundësi. Do pritet opinioni, do përkthehet dhe pastaj do veprohet”, shprehet ai.
Ligji i vetingut është konsideruar kyç për reformën në drejtësi dhe rrjedhimisht edhe hapjen e negociatave me BE-në. Një vonesë e rishqyrtimit të tij mund të ndikojë në afatet kohore të nisjes së këtij procesi.



