
Ka përfunduar takimi mes liderit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti dhe atij të LDK-së, Isa Mustafa që zgjati më shumë se dy orë.
Të dyja partitë kanë shmangur mediet e pranishme duke mos u deklaruar.
Dy palët kanë shfrytëzuar dalje tjera të Kuvendit të Kosovës, derisa gazetarët kanë qenë duke qëndruar në hollin e këtij institucioni.
Mësohet se zyrtarë të LDK-së, kanë thënë se nga takimi i sotëm me LVV-në nuk ka marrëveshje.
Mësohet se do të vazhdojnë takimet mes dy partive, me takimin e rradhës mes dy liderëve, i cili do të mbahet sërish nesër.
Lëvizja Vetëvendosje zyrtarisht njofton se as pas takimit të sotëm në Kuvendin e Kosovës me LDK’në nuk kanë arritur marrëvshje për formimin e Qeverisë.
“Sot pasdite, në Kuvendin e Kosovës u mbajt edhe një takim ndërmjet LVV dhe LDK. Nuk u arrit marrëveshja”, thuhet në njoftimin e VV’së.
Një takim i radhës do të ndodhë nesër, në të cilin do të marrin pjesë edhe përfaqësuesit e QUINT’it (Amerikës, Gjermanisë, Britanisë së Madhe, Francës dhe Italisë).
“Palët u pajtuan që nesër të zhvillohet një takim tjetër bashkë edhe me ambasadorët e Quint-it në Prishtinë si dhe me Shefen e Misionit të BE-së”, thuhet në njoftim.
LDK e Vetëvendosje janë kthyer në tavolinën e bisedimeve për të arritur marrëveshjen për Qeverinë, për formimin e së cilës lideri i VV-së, Albin Kurti ka kohë deri më 4 shkurt.
Në këtë takim kanë hyrë VV duke thënë se nuk e jep pozitën e kryeparlamentarit të cilën e mban Glauk Konjufca. Ndërkaq nënkryetari i LDK’së, Agim Veliu pak para takimit ka thënë se partia e tij e do pozitën e kreut të Kuvendit.



