
Katër organizata ndërkombëtare që mbrojnë lirinë e medias i kanë dërguar kryeministrit Rama një letër të hapur, me anë të së cilës kërkojnë tërheqjen e paketës kundër shpifjes.
Federata Evropiane e Gazetarëve, Qendra Evropiane për Lirinë e Shtypit dhe Medias, PEN International dhe Reporterët Pa Kufij, kritikojnë projektligjin për median online.
Në një letër të përbashkët dërguar Ramës, organizatat shprehen se iniciativa e kryeministrit është "kundër praktikave më të mira dhe shkon kundër rekomandimeve të OSBE-së, gjë që ngre shqetësimin tonë më të thellë".
Në letër thuhet se nëse Parlamenti i kalon projektligjet e tanishme, "ato do të dëmtojnë seriozisht lirinë e informacionit, do të kenë efekt frustrues në mediat online dhe do të kufizojnë të drejtën e qytetarëve shqiptarë për të pasur akses në informacion".
Në fillim të dhjetorit, qeveria shqiptare propozoi ndryshime në dy ligje që parashikojnë regjistrimin e mediave online dhe kontrollin e përmbajtjes së lajmeve për një sërë arsyesh, duke përfshirë lajmet që konsiderohen të njëanshme, lajmet që "dëmtojnë moralin publik" dhe "botimet që mund të nxisin shkeljen e ligjit".
Shkelja e këtij ligji parashikohet të dënohet me gjoba deri në 1 milion lekë deri në mbylljen e faqeve online.



