Provinca Heilongjiang në verilindje të Kinës, e cila kufizohet me Rusinë është shndërruar në epiqendrën e betejes kundër koronavirusit, pasi autoritetet raportuan një numër të madh rastesh të reja në ditë.
Kina është e frikësuar, pasi mendon se shtimi i rasteve të të infektuarve mund të ndezë një valë të dytë Covid-19 dhe t’a kthejë vendin përsëri në një gjendje paralize.
Rastet e reja të regjistruara në provincën Heilongjiang, sipas autoriteteve, janë kryesisht të ardhura nga jashtë vendit.
Kina raportoi të dielën 108 persona të infektuar me koronavirus, ndërsa një ditë më parë kishte shënuar 99 të infektuar, kurse me datë 5 mars, vendi deklaroi 143 të prekur, duke shënuar edhe numrin më të madh të të infektuarve.
Komisioni Kombëtar i Shëndetit, deklaroi se 98 persona nga rastet e reja që u regjistruan të dielën, janë të ardhur nga jashtë vendit. Gjithsej, 49 shtetas kinezë, që hynë në provincën Heilongjiang nga Rusia rezultuan pozitiv.
Pavarësisht se numri i të infektuarve në ditë ka rënë ndjeshëm në Kinë, krahasuar me kulmin e epidemisë në muajin shkurt, vendi përjetoi një goditje në 12 mars, për shkak të shtimit të numrit të të infektuarve.
Disa qytete kineze afër kufirit me Rusinë po forcojnë kontrollet kufitare dhe po imponojnë karantinë të rreptë në përgjigje të fluksit të të infektuarve me koronavirus që kanë ardhur nga jashtë vendit.



