
Vullkani Etna në Itali në të ardhmen mund të rezervojë surpriza të pakëndshme. Vullkani po “rrëshqet” në mënyrë të ngadaltë në drejtimin lindor të detit Jon, një lëvizje që mund të përshpejtohet në të ardhmen e largët - ose të afërt - me pasoja katastrofike.
Etna në Sicili është vullkani më i madh aktiv në Evropë. Llava e tij rrjedh periodikisht në drejtimin lindor të detit Jon, një lëvizje që mund të përshpejtohet në të ardhmen dhe të çojë në një kolaps masiv të anës juglindore të vullkanit, gjë që mund të shkaktojë një cunam të rrezikshëm.
Ky skenar, i cili mund të ndodhë për disa mijëra vjet, për disa shekuj apo edhe disa vjet (është e pamundur të parashikohet), ua ka rritur shqetësimet hulumtuesve gjermanë dhe italianë, që po studiojnë vullkanin, dhe flasin për "rrezikun e kolapsit katastrofik". Për dekada me radhë, gjeologët - duke njohur masat sipërfaqësore - e dinë se anët juglindore të vullkanit Etna, të cilat janë të dukshme, lëvizin drejt detit rreth 2-3 centimetra çdo vit. Por tani, për herë të parë, gjeologët kanë konstatuar me ndihmën e instrumenteve të avancuara si sensorët, se anët e vullkanit nën ujë, brenda tetë ditëve gjatë muajit maj të vitit 2017, papritmas u zhvendosën katër centimetra drejt lindjes.
Kjo cilësohet si lëvizja më e madhe dhe më e shpejtë nënujore, dhe i ka vënë shkencëtarët në dyshim se vullkani ka filluar të bjerë në det më shumë për shkak të peshës së tij, sesa për shkak të lëvizjes së brendshme të magmës, siç mendohej deri tani. Është e pamundur të parashikohet ritmi i kësaj rrëshqitjeje, por dihet se në raste të ngjashme në vende të tjera të botës, nëse diçka e tillë ndodh, mund të shkaktojë një cunam që do të vërë në rrezik zonat bregdetare fqinje. Llogaritet se rreth një milion njerëz jetojnë në kodrat e malit Etna dhe shumë më tepër në brigjet e Jonit.
"Deri më tani, masa është me të vërtetë e ngadalshme, por ekziston rreziku që ajo të përshpejtohet dhe të krijojë një rrëshqitje të tokës, që do të zhvendoset shpejt drejt detit", është shprehur Morelia Urlaub ,që drejton qendrën gjermane për kërkimet oqeanike. "Ne e kemi vëzhguar vullkanin prej rreth 30 vitesh, por 30 vjet nuk janë asgjë në krahasim me moshën e tij, gati 500 000 vjeç. Është diçka që mund të ndodhë në dhjetë apo 100 ose edhe 100 000 vjet. Duhet të bëjmë më shumë kërkime, të jemi të vetëdijshëm për rrezikun dhe të ndjekim me vëmendje veprimtarinë e Etnës”, ka thënë ajo.



