Greqia do të krijojë kampe të reja për azilkërkuesit që vijnë në ishujt e Egjeut, me shpresën se do t'i japë fund muajve të mbipopullimit dhe dhunës, me këtë skemë të re të rivendosjes.
Kampet e reja do t'i lejojnë azilkërkuesit të dalin jashtë gjatë ditës, por do të mbyllen gjatë natës.
Sipas të dhënave më të fundit, në Greqi ndodhen aktualisht mbi 40 000 azilkërkues. Kampet e reja do të përshtaten për të akomoduar 20 000 azilkërkues që do të kufizohen në një qëndrim tremujor brenda kampeve.
"Lajmërimi i qeverisë për krijimin e kampeve të reja dhe vendosjen e procedurave të reja është i mirëpritur. Ne të gjithë duam të shpëtojmë nga një situatë, e cila është tërësisht shkatërruese për personat që prej muajsh jetojnë atje në kushte të mbipopullimit”, u shpreh Philippe Leclerc, përfaqësuesi i UNHCR-së në Greqi.
Qeveria greke ka marrë tokë shtesë për kampe në Lesbos, Chios, Samos, Kos dhe Leros, ku pritet që të fillojnë veprimet nga mesi i vitit.
Greqia ka hasur vështirësi në strehimin me kushtet e duhura sanitare të të gjithë emigrantëve që kanë mbërritur në territorin e saj. Grupet për të Drejtat e Njeriut dhe Këshilli i Evropës e kanë klasifikuar situatën në kampe si "shpërthyese" duke thënë se nevojë për ndihmë aty ishte e domosdoshme.
Greqia mbylli një numër kampesh në tetor të vitit 2019 pas një serie zjarresh dhe incidentesh të tjera. /Euronews/



