Aktori i njohur amerikan, fitues i çmimit Oscar, Gene Hackman, bashkëshortja e tij, Betsy Arakawa, dhe qeni i tyre janë gjetur të vdekur në shtëpinë e tyre në Santa Fe, New Mexico.
Në një karrierë që zgjati më shumë se gjashtë dekada, Hackman fitoi dy çmime Oscar për rolet e tij në “The French Connection” dhe “Unforgiven”.
Sipas një deklarate nga policia e Santa Fe, trupat e çiftit u gjetën të mërkurën pasdite në rezidencën e tyre në Sunset Trail. Autoritetet theksuan se hetimet po vazhdojnë, por nuk ka shenja të një krimi. Hackman ishte 95 vjeç, ndërsa gruaja e tij 64.
-Gene Hackman fitoi çmimin Oscar për aktorin më të mirë në vitin 1971 për rolin e tij si Jimmy "Popeye" Doyle në thrillerin “The French Connection” të “William Friedkin”. Në vitin 1992, ai u nderua me një tjetër Oscar për aktorin më të mirë në rol dytësor për interpretimin e tij si Little Bill Daggett në filmin western të Clint Eastwood, “Unforgiven”.
Përveç këtyre, Hackman ishte nominuar edhe për “Bonnie and Clyde” (1967),” I Never Sang for My Father” (1970) dhe “Mississippi Burning” (1988).

Në total, ai luajti më shumë se 100 role, duke përfshirë Lex Luthor në filmat e Superman gjatë viteve '70 dhe '80. Ai gjithashtu interpretoi në “Runaway Jury”, “The Conversation” të Francis Ford Coppola dhe “The Royal Tenenbaums” të Wes Anderson. Përveç Oscar-it, Hackman ka fituar dy çmime BAFTA, katër Golden Globe dhe një çmim nga Shoqata e Aktorëve të Filmit (SAG).
Filmi i tij i fundit ishte “Welcome to Mooseport” (2004), pas të cilit ai u tërhoq nga kinemaja për të jetuar një jetë të qetë në New Mexico.
-Hackman lindi në Kaliforni në vitin 1930 dhe, ende i mitur, u regjistrua në ushtri duke gënjyer për moshën e tij. Ai shërbeu për katër vjet e gjysmë në Kinë, Hawai’i dhe Japoni, përpara se të lirohej në vitin 1951.
Pasi studioi gazetari dhe prodhim televiziv në Universitetin e Illinois, ai vendosi të ndiqte ëndrrën e tij për aktrim. Në Kaliforni, u bashkua me Pasadena Playhouse, ku u miqësua me aktorin Dustin Hoffman.
"Unë e dija që doja të bëhesha aktor që në moshë të vogël," ka thënë ai. "Kur shihja James Cagney apo Errol Flynn në filma, ndjeja se mund ta bëja edhe unë. Por më mori tetë vjet në Nju Jork para se të siguroja një rol të vërtetë."
Para famës, Hackman punoi si shitës këpucësh, transportues mobiljesh dhe shofer kamioni. Sipas tij, çelësi i suksesit ishte këmbëngulja: "Nëse e dëshiron mjaftueshëm, mund ta arrish."
Një jetë private larg vëmendjes

Hackman ishte i martuar me gruan e tij të parë, Faye Maltese, për 30 vjet dhe së bashku kishin tre fëmijë. Pas divorcit në vitin 1986, ai u martua me pianisten klasike Betsy Arakawa.
Në vitin 2003, ai bëri një dalje të rrallë në Golden Globe Awards, ku u nderua me çmimin Cecil B. deMille për kontributin e tij në kinematografi.
Në vitin 2008, ai deklaroi për Reuters se kishte hequr dorë përfundimisht nga aktrimi:
"Nuk kam bërë një njoftim zyrtar për pensionimin, por po, nuk do të aktroj më."
Ai e kaloi pjesën tjetër të jetës duke shkruar romane, duke qëndruar larg syrit të publikut dhe duke shijuar qetësinë e tij në New Mexico.



