
Ilir Pilku, ekspert i sigurisë ushqimore deklaroi në MCN Live se nëse vërtetohet që ka krim ekonomik me fondet e BE-së për bujqësinë qeveria shqiptare në bazë të marrëveshjes duhet të kthejë paratë, e më pas në vendin tonë nis një proces me abuzuesit.
Duke vijuar më tej me shpjegimin e tij, Pilku tha se nëse paratë janë marrë për një plan të caktuar investimi dhe janë përdorur për një gjë tjetër, atëherë kemi të bëjmë me një abuzim të rëndë që mund të çojë dhe në humbjen e akreditimit të strukturës operuese të IPARD.
2020 ka pasur një kontroll të befasishëm, nuk kemi pasur raport. Është procedurë e OLAF që vjen pas një morie denoncimesh nga furnitorë, subjekte, janë hamendësime dhe pastaj OLAF ka një komitet, ka një staf prej 190 personash. Gjatë kësaj kohe ata bëjnë vlerësime, a ka risk apo jo që një rast ta kthejnë në rast hetimor. Në korrik Shqipëria mori njoftim që jemi në rast hetimor, investigativ. E gjithë kjo ka një proces, raporti paraprak akoma nuk është bërë publik, dhe pastaj ka një raport më të thelluar në bazë të observacionit nga Avokatët e Shtetit.
Është proces i gjatë që do rezultojë me dy masa, ose do jenë administrative ose do të ketë krim ekonomik. Nëse ka krim ekonomik, ka korrupsion, qeveria shqiptare në bazë të marrëveshjes duhet t’i kthejë paratë. BE nuk ka punë me individët përfitues. Qeveria duhet të kthejë paratë. Qeveria do të kalojë në proces me abuzuesit. Pretendohet për 3-4 raste që ato i kanë gjykuar si raste që duhet të vlerësohen më shumë. Janë disa investime në bregdet. Asnjë nga ne nuk e di nëse janë 3-5 apo 8, skema mund të zgjerohet. Në strukturën e OLAF janë 190 veta, por mund të jenë dhe 1 mijë të tjerë në territorin e BE që janë të fshehur dhe që bëjnë investigime. Ke dhe një strukturë tjetër që varet nga BE që është në Ministrisë së Bujqësisë dhe ka për detyrë të bëjë post-kontrolle dhe raporton në Bruksel.
Nëse ti ke marrë para për një plan investimi dhe ke bërë gjë tjetër, është e rëndë. Çfarë mund të na ndodhë? E para mund të na ndodhë jo vetëm bllokimi, por mund ta na hiqet akreditimi i strukturës operuese të IPARD, që është strukturë e gjerë.
Nuk arrij dot të kuptoj që ky lloj abuzimi të jetë real sepse ka një proces dhe është një softuer që monitorohet nga Digi Agri dhe nuk arrij dot të kuptoj si mund të ketë ndodhur. Jo se dua të jem mbrojtës i institucionit, nuk arrij dot ta besoj që mund të ketë ndodhur diçka e tillë.



