Komiteti Teknik i Ekspertëve ka dalë sot në një konferencë lidhur me situatën me koronavirusin në vendin tonë.
Gjatë mbledhjes u vendos që personat që do të vijnë nga Maqedonia e Veriut dhe Greqia, do të vendosen në karantinë 2 javore. Zv. ministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli, sqaroi se kjo masë do të jetë në fuqi deri më 3 maj.
Duke qenë se situata e COVID-19 në vend, është më e stabilizuar, Komiteti Teknik vendosi që nxënësit në gjimnaze, të cilët deri më tani e kanë zhvilluar mësimin në mënyrë të alternuar, mund të rikthehen ta zhvillojnë mësimin në godinat e shkollave.
“Padyshim që ka filluar të ndihet edhe efekti i vaksinimit masiv. Ajo që vihet re në Rajon situata paraqitet ndryshe, ndryshe nga vendi ynë, në fqinjët tanë, në Maqedoninë e Veriut numri rasteve janë shtuar, por edhe i jetëve të humbura, e kjo duket në grafikët e paraqitura. Sfida e komitetit tonë është përmirësimi i indikatorëve.
Duke parashikuar faktorët do të merren edhe masat. Mos respektimi nga subjektet elektorale mund të ndikojë në rritjen e rasteve. Festa e Pashkëve do të sjellë edhe ardhje nga vendet e terja. Kujtojmë se vitin e kaluar, në Pashkë u rritën rastet, dhe numri i jetëve. Duke pasur situatën lokale, ku e zë Gjirokastra. Nga dita e nesërme qëndrimi në karantinë 2 javore për personat që vijnë nga Maqedonia dhe Greqia deri më 3 maj. Nxënësit e viteve të parë dhe të dyta që kanë qenë në mësim online, mund të fillojnë edhe mësimin në klasë”, tha Rakacolli.
Ndërsa Drejtorja e ISHP-së, Albana Fico, tha se situata është përmirësuar, ku ka një rënie të madhe të mesatares ditore të rasteve pozitive me Covid-19.
Mes të tjerash, Fico theksoi se përveç Tiranës, është vënë re një numër i lartë rastesh pozitive edhe në tre qarqe të tjera, si Gjirokastra, Berati dhe Korça.
“Mesatarja ditore e rasteve të diagnostikuara pozitivë ka zbritur në 172, nga mbi 200 që ishte. Numri total i rasteve aktive është 25 668. Mbetet raporti meshkuj-femra 48-52%, ndërsa është ndryshe numri i vdekjeve. Spitalet Covid-3 dhe Covid-4 nuk kanë pacientë për momentin, por janë në gatishmëri të plotë. Një indeks tjetër është edhe ulja e vdekshmërisë, e cila nga 50 në një javë më parë, ka shkuar në 25. Vijojmë me vaksinimin paralele.
Një ndryshim i qenësishëm ka qenë dhe rezultati i rasteve të reja në disa vende. Tirana ka një numër të rasteve aktive të larta, duke pasur parasysh dendësinë e popullsisë, por vihet re se për gati 2-3 javë Gjirokastra, Berati dhe Korca vijnë pas me numër të larta rastesh, por që ne po i mbajmë në vëzhgim”, tha Fico.



