
Dy institucione financiare jo banka janë mbyllur në Kosovë me vendim të Bankës Qendrore të Kosovës. Kjo e fundit u ka hequr licencat “Iute Credit” dhe “Monego”. Arsyeja për heqjen e licencës, sipas Bordit Ekzekutiv, është devijimi nga plani i biznesit që ato kanë paraqitur në krye të herës. Dyshimet ishin se përveç kredive me norma astronomike të interesit, ato po pastrojnë para për biznesmenë dhe persona të fuqishëm nga Estonia dhe Rusia.
“…Ne nuk do të lejojmë asnjë aktivitet që cenon sigurinë tonë kombëtare”, ka thënë guvernatori Fehmmi Mehmeti.
Dy institucionet në fjalë janë prej kohësh nën vëzhgim nga autoritetet rregullatore të Kosovës.
Edhe Ambasada Amerikane në Prishtinë e ka kërkuar mbylljen e “Iute Credit” dhe “Monego”, për shkak të dyshimit se përmes tyre pastroheshin para.
Mediat në Kosovë e kanë lidhur aktivitetin e Monego me veprimtarinë e Aigars Kesenfelds, një biznesmen, i cili është i dyshuar për krime ekonomike, mashtrime, pastrim parash dhe i lidhur me miliarderin rus, Oleg Boyko, raporton Monitor.
Në vitin 2019, Iute Credit u ndëshkua nga BQK-ja për mashtrim dhe u detyrua t’u kthente paratë klientëve.



