Shefi operativ i projektit Jigsaw të Google thotë se: “Qeveritë po e bllokojnë internetin për t’i mbyllur gojën kundërshtarëve me një shkallë ‘eksponenciale’— dhe po kërcënojnë shoqërinë civile.
Sipas një raporti të fundit, bllokimet e qëllimshme të internetit të dekretuara nga qeveritë në mbarë botën po vazhdojnë të rriten në frekuencë dhe në përbërje. Studimi i publikuar nga projekti Jigsaw të Google, së bashku me organizatën jofitimprurëse të të drejtave digjitale Açess Now dhe kompaninë e matjes së censurës Censored Planet, thotë se: “Bllokimet e internetit po rriten "në mënyrë eksponenciale". Ku nga gati 850 bllokime të dokumentuara përgjatë 10 viteve të fundit, 768 prej tyre kanë ndodhur që nga viti 2016.
Qeveria e Indisë e ka bllokuar internetin më shumë se çdo vend tjetër – 109 herë vetëm në vitin 2020 – ku të dhënat tregojnë se bllokimet më të zakonshme kanë ndodhur në rastet e periudhave zgjedhore, apo në kohërat e trazirave të mundshme civile, duke çuar drejt pretendimeve se kjo e fundit është shndërruar në një taktikë për t’i dhënë fund mosmarrveshjeve. Por ndërkohë që këto taktika po përhapen më shpejtësi, bllokimet e internetit po bëhen edhe më delikate, duke përdorur këtu taktika si: uljen e ritmit të shpejtësisë së një URL-je për të ngadalësuar në mënyrë të theksuar funksionin e saj, bllokimin e adresave të veçanta të internetit, dhe kufizimin e përdorimit të të dhënave celulare. 
MIT Technology Review zhvilloi një bashkëbisedim me shefin operativ të Jigsaw, Dan Keyserling, për të diskutuar fenomenin gjithnjë e në rritje.
Kjo bisedë është redaktuar me detaje të zgjeruara dhe qartësi.
Nga i ka fillimet e tij ky projekt kërkimor?
Që nga zanafilla e tij, Jigsaw dhe organizata jonë paraardhëse, Google Ideas, kanë studiuar censurën në internet dhe përpjekjet e qeverive në mbarë botën për të kufizuar aksesin në informacion. Të dish se kjo po ndodh është një ndër hapat e parë dhe më kritike.
Sidomos për taktikat e censurës së shkallës së ulët, nuk është gjithmonë e qartë për njerëzit të cilët po i përjetojnë ato që po ndodhin. Për shembull, ulja e ritmit të shpejtësisë, që është ngadalësimi i disa faqeve të internetit, deri në pikën ku ato bëhen të papërdorshme nga këndvështrimi i përdoruesit, mund të duken si vështirësi teknike.
Ne kemi dashur ta publikojmë këtë raport tani, sepse problemi po përkeqësohet. Bllokimet e internetit po bëhen gjithnjë e më të shpeshta. Shumë qeveri po eksperimentojnë me pakësimin e aksesit në internet si një mjet për të ndikuar në sjelljen e qytetarëve.
Kostot e bllokimit të internetit padyshim që po rriten, sepse qeveritë po bëhen më të sofistikuara për mënyrën se si i qasen kësaj, por gjithashtu, ne po e jetojmë më së shumti jetën tonë online në internet.
Më pas ne donim të drejtonim një thirrje për të vepruar, dhe për atë çfarë ne mendojmë se duhet të jetë është një konsensus ndërkombëtar kundër bllokimeve të internetit. Midis organizatave të tjera shumëpalëshe, ne jemi inkurajuar nga deklaratat e fundit të Kombeve të Bashkuara, ku këto të fundit dënojnë bllokimet e internetit, dhe me të drejtë i cilësojnë ato si shkelje të të drejtave të njeriut. Vetëm muajin e kaluar, një Raportues Special i OKB-së lëshoi një deklaratë mjaft të prerë, duke përshkruar se si ky problem po vijon të përkeqësohet, dhe pse ai përbën një kërcënim për të gjitha vendet anëtare.
Teknikisht, dhe nga një perspektivë shoqërore, çfarë është bllokimi i internetit?
Veçanërisht në disa vende gjatë disa viteve të fundit, "bllokimi i internetit" përshkruan një kategori aktiviteti për të kufizuar aksesin në informacion. Unë mendoj se kur shumica e njerëzve përdorin termin, ata i referohen këtij bllokimi total të internetit – të cilin ne e shohim vërtet. Këtu ka një spektër kërcënimesh që janë aq sa delikate, por në trajta të ndryshme, po aq edhe të dëmshme sa një ‘blackout’ total të internetit. Teksa ky konsensus ndërkombëtar po gjendet gjithnjë e më shumë kundër bllokimeve absolute të internetit, ne po shohim drejt kësaj qasjeje delikate një zhvillim më të planifikuar, me më shumë bllokime të sistemit, dhe me censurë të gradës së ulët.
“Përpjekjet tona për të matur dhe për të monitoruar atë që po ndodh në botë, duhet të qëndrojnë me hapin e përpjekjeve nga ku qeveritë mund të kufizojnë aksesin.”
Dhe cilat janë pengesat teknike për të kuptuar këto bllokime?
Epo, siç thotë një thënie e vjetër: “Ju nuk mund ta menaxhoni atë që nuk mund ta matni.” Në thelb, është një sfidë për të kuptuar se cilat sinjale duhet të monitorohen në mbarë botën, në mënyrë që të zbulohet kur diçka është ndërprerë, dhe më pas ti të jesh në gjendje për të se çfarë nënkuptojnë ato sinjale në jetën reale. Pjesërisht për këtë ka shumë sfida teknike, sepse është një botë shumë e madhe. Këtu ka shumë pika të ndryshme nga ku ju mund të matni për të përcaktuar nëse faqe të caktuara po bllokohen, megabitët po kufizohen, ose platformat po bllokohen.
Dhe pastaj, kur ju t’i keni të gjitha këto të dhëna, sfida është: “strukturimi dhe kuptimi i tyre në mënyrë që ju të mund të zbuloni kur këto gjëra ndodhin në kohë reale, dhe t’i raportoni ato diku me mirëbesim. Ka organizata të posaçme si Netblocks, Open Observatory of Network Interference dhe Censored Planet, ku të gjitha bëjnë një punë të jashtëzakonshme në këtë fushë dhe në mënyrë të vazhdueshme ato po zgjerojnë kapacitetin e tyre për të matur dhe për të raportuar bllokimet e internetit në të gjithë botën.
Përpos të gjitha problemeve teknike, kjo vijon të mbetet paksa si loja e maces me miun. Përpjekjet tona për të matur, për të monitoruar dhe për të qenë transparentë për atë që po ndodh në botë, duhet të qëndrojnë nën ritmin e përpjekjeve për të zhvilluar mjetet me të cilat qeveritë mund të kufizojnë aksesin.
Merrni një situatë si Afganistani. Ka pasur disa raporte për bllokim të internetit në Luginën e Panjshirit, por nuk e di se sa plotësisht është rënë dakord për këtë gjë. Çfarë thotë hulumtimi juaj për atë që mund të ndodhë në Afganistan? Pse talebanët mund të kërkojnë që të fitojnë më shumë kontroll mbi internetin në një situatë si kjo?
Unë nuk ngutem të shtoj se nuk jam ekspert për Afganistanin. Unë kam parë të njëjtin raportim që edhe keni ju, të cilat përshkruajnë bllokimet e internetit në të gjithë vendin. Njëri prej raporteve u karakterizua si parandalimi specifik i njerëzve dhe grupeve të caktuara që të krijonin tubime dhe të arrinin jashtë kufijve.
Sa herë që shihni një qeveri - ose një grup, në rastin e talebanëve - duke shprehur pikëpamje autokratike, autoritare dhe represive, rrjedh se ata mund të bëjnë atë që thonë se duan të bëjnë, që është: “kufizimi i aksesit në informacion dhe në komunikim.” Jam shumë i shqetësuar për situatën në Afganistan. Është thelbësore të sigurohet që njerëzit atje të kenë akses në informacion, aftësi për të komunikuar dhe aftësi për të marrë lajmet.
Çfarë aftësish duhet të ketë dikush për të realizuar një nga këto bllokime të rrjetit? A merret me këto aktivitete ndokush me një nivel të lartë kontrolli mbi infrastrukturën e internetit?
Ju keni të drejtë që të vini në dukje se mënyra se si ndodhin bllokimet e internetit, shpeshherë lidhet me atë se sa kontroll ka një qeveri mbi infrastrukturën e telekomunikacionit në një vend të caktuar. Dhe kjo varion: ndryshon nga vendi në vend, dhe ndryshon me kalimin e kohës.
Një nga gjërat që ne kemi vëzhguar, dhe është raportuar më së miri nga të tjerët, është se një numër qeverish po shqyrtojnë ligje që do të rrisin kontrollin e tyre mbi infrastrukturën e telekomunikacionit. Kjo është pjesë e tri tendencave bashkëvepruese. Së pari, ju keni frekuencën gjithnjë e në rritje të bllokimit të internetit. Së dyti, ju keni vëmendjen e madhe nga qeveritë ndaj mënyrës sesi ato kontrollojnë infrastrukturën e telekomunikacionit në vendet e tyre. Dhe ju gjithashtu po shihni një recesion të demokracisë në mbarë botën dhe një rritje të qeverive autokratike që ushtrojnë pushtet mbi shoqërinë civile.
Cili është rreziku i vërtetë?
Sigurisht, është më shumë se një shqetësim. Është një çështje jete a vdekjeje në disa raste. Është padyshim një çështje e humbjes së instrumenteve jetësore – kufizohet shoqëria civile, kufizohet aksesi në informacion, si edhe kufizohet liria e shprehjes. Unë mendoj se njerëzit gjithnjë e më shumë po e jetojnë jetën e tyre online në internet, dhe sesi institucionet demokratike po mbështeten gjithnjë e më shumë në internet, si një mënyrë kjo për të lehtësuar pjesëmarrjen qytetare – për të shkëmbyer lajme dhe informacione, që njerëzit të komunikojnë me njëri-tjetrin dhe të organizohen – rreziku i një qeverie që bllokon internetin mbart me vete këto kosto të larta.
Bllokime të qëllimshme globale të internetit
janar 2020 - maj 2021

Çfarë mund të bëjë një qytetar mesatar i cili e përdor internetin për këtë qëllim? Çfarë mund të bëjmë ne për ta ditur më mirë se kur po ndodh kjo gjë, dhe si parandalohet?
Kjo varet shumë nga rrethanat tuaja. Ka një sërë mjetesh që mund t'ju lejojnë të përdorni internetin falas dhe të lirë—për shembull, rrjetet private virtuale (VPN). Ka mjete të caktuara që ju lejojnë të mbroni veten nga lloje të veçanta të censurës. Toksifikimi me DNS është një formë e zakonshme censurimi ku një qeveri manipulon URL-të individuale. Ne kemi një mjet të quajtur Intra (ka edhe mjete të tjera gjithashtu) që mbrojnë përdoruesit dhe i lejojnë ata t'i shmangen këtyre kufizimeve.
“Në disa raste është një çështje jete a vdekje. Sigurisht që ka të bëjë me humbjen e instrumenteve jetesësore—kufizohet shoqëria civile, kufizohet aksesi në informacion si edhe liria e shprehjes.”
Por edhe nëse dikush nuk përjeton një bllokim interneti nga ‘dora e kryesore’, ne mendojmë se ata mund të qëndrojnë sërish në solidaritet me njerëzit që nuk kanë akses në informacion dhe aftësi për t'u lidhur me internetin falas dhe të lirë. Mendoj se kufizimet mbi internetin e lirë dhe të hapur ngado, përbëjnë rrezik për ne në çdo vend.
Çfarë tjetër do të dëshironit të shihnit nga komuniteti ndërkombëtar dhe çfarë mendoni se do të jetë realisht efektive?
Një bisedë publike është hapi i parë i rëndësishëm. Kur qeveritë mblidhen së bashku për të diskutuar mbi normat e sjelljes dhe çfarë do të bëhet me të ardhmen e internetit, ne shpresojmë që kjo të jetë një lajm në rendin e ditës. Ky lajm përfaqëson një kërcënim për lirinë dhe, në të vërtetë, për sigurinë që duket se po rritet.
Ne jemi të inkurajuar nga veprimi shumëpalësh që kemi parë deri më tani - grupe si OECD dhe OKB po i marrin këto çështje, po i diskutojnë ato dhe po tërheqin vëmendjen drejt tyre. Para së gjithash, unë mendoj se një bisedë e përbashkët publike do të fillojë, për ta bërë më të qartë se çfarë po ndodh në botë, për të tërhequr vëmendjen ndaj problemit, por edhe për të rritur në mënyrë të qëndrueshme kostot për vendet që vendosin të ndjekin këto taktika. Nëse një prej atyre kostove të bllokimit të internetit, është ajo që po ju largon nga komuniteti më i gjerë i kombeve, ky i fundit do të ishte një hap në drejtimin e duhur.
A duhet të konsiderohet qasja në internet falas dhe i lirë si një e drejtë e njeriut?
Çfarë mund të jetë më thelbësore se si njerëzit marrin informacion, shprehin veten, organizojnë, komunikojnë dhe jetojnë jetën e tyre të përditshme? Interneti ka qenë një nga përfitimet më të mëdha për lirinë njerëzore në historinë e specieve tona. Dhe mendoj se është jetike që ne të mbrojmë lirinë e internetit, sepse liria e tij është pjesë e fuqisë së tij.
Në raportin tuaj, një avokate nga Access Now, Marianne Hernández thotë se: “Qeveritë kanë filluar ta shohin internetin si diçka që duhet ta kontrollojnë. Por kontrolli dhe pronësia ushtrohen edhe nga kompani private si Google, të cilat kanë projektuar shumë nga kjo teknologji. A është një sfidë që ne të mos të nisemi të gjithë nga një marrëveshje bazë për atë se çfarë është në të vërtetë interneti, dhe kush e meriton aksesin në të?
Ne e kuptojmë se në mbarë botën ka një larmishmëri opinionesh për qeveritë, marrëdhëniet midis qeverive, internetit dhe marrëdhëniet ndërmjet qytetarëve dhe shtetit. Por në fund të fundit Google është një kompani e drejtuar nga vlerat, dhe misioni ynë është që të organizojmë informacionin e botës, dhe atë ta bëjmë informacion të aksesueshëm dhe të dobishëm në mënyrë universale. Në të vërtetë, ajo për çfarë ne po flasim këtu, është ajo pjesë "universalisht e aksesueshme". Dhe kështu ne mendojmë se diçka si bllokimi i internetit duhet dhe mund të jetë i patolerueshëm. Siç thoni edhe ju, nëse i vendosim vetes një bazë diku ku mendojmë se mund të krijojmë një mirëkuptim të përbashkët dhe një konsensus se bllokimi e internetit nuk duhet të jetë i pranueshëm, atëherë mendoj se kemi bërë ecur përpara me misionin tonë.
Burimi: MIT Technology Review
Përshtati në shqip: MCN TV



