Lideri suprem i Iranit ka urdhëruar Gardën Revolucionare të lëshojë territor në zotërimin e ekonomisë, tha ministri iranian i Mbrojtjes, duke lënë të kuptohet se ka gjasa që organizata paraushtarake të privatizojë disa nga asetet më të mëdha.
Komentet e gjeneralit Amir Hatami duken si një tentativë për të testuar reagimet në lidhje me këtë ide, e cila është mbështetur nga presidenti i moderuar Hassan Rouhani. Protestat e iranianëve muajin e kaluar për varfërinë u kthyen në demonstrata dhe sfiduan direkt qeverinë.
Nuk dihet nëse Garda Revolucionare do të pranojë propozimin, pasi llogaritet që ajo ka në dorë rreth 1/3 e ekonomisë së vendit.
Hatami, i pari ushtarak që nuk ka lidhje me Gardën i emëruar ministër Mbrojtjeje në 25 vitet e fundit, i bëri këto komente në një intervistë të publikuar të shtunën nga gazeta shtetërore IRAN. Ai tha se lideri suprem, Ayatollah Ali Khamenei i ka urdhëruar ushtrinë dhe Gardën të largohen nga bizneset që nuk lidhen me detyrën e tyre.
Ai nuk foli në detaje për kompanitë që do të privatizohen.
Garda është formuar nga Revolucioni Islamik i Iranit 1979 si një forcë që nënkuptonte mbrojtjen e sistemit të saj politik, i mbikëqyrur nga klerikët shiitë. Garda vepron paralelisht me forcat e armatosura iraniane. Ajo ka përparuar në pushtet gjatë luftës së gjatë dhe shkatërrimtare të vendit me Irakun në vitet ’80. Garda drejton programin e raketave bërthamore të Iranit, agjencitë e shërbimit sekret dhe një seksion të trupave të sigurisë. Në fund të luftës së viteve ’80, autoritetet e lejuan Gardën të shtrihej edhe në sektorin e sipërmarrjes. Sot, në pronësi të saj është një kompani e madhe ndërtimi e quajtur Khatam al-Anbia, me 135 mijë punonjës; industria e naftës dhe sektori i mbrojtjes.



