Kryeministri Rama njoftoi ashpërsimin e masave që kanë për qëllim frenimin e përhapjes së epidemisë së koronavirusit.
Rama njoftoi se do të mbyllen të gjitha baret dhe restorantet në Tiranë dhe Durrës, për të shmangur çdo grumbullim masiv.
Postimi i Ramës
NDJESË por duke parë shkallën e ulët të vetëdijes së shumë qytetarëve, kryesisht të rinj, që e kanë edhe më të vështirë të rrinë në një vend, DO TË DETYROHEMI TË MBYLLIM TË GJITHA RESTORANTET, BARET, KLUBET, në TIRANË dhe DURRËS fillimisht!
KJO NUK ËSHTË KOHË PUSHIMESH dhe ARGËTIMESH JASHTË SHTËPISË, po KOHË LUFTE Dhe KJO LUFTË FITOHET VETËM DUKE KUFIZUAR LIRINË TËNDE, DUKE NDRYSHUAR RRËNJËSISHT MËNYRËN E JETESËS dhe DUKE RUAJTUR FAMILJEN TËNDE nga kontaktet e tua me jashtë!
FRIKË ASPAK, KUJDES PO! MADJE SHUMË FARE!
Koronavirusi, policia dhe ushtria në rrugë për kontrolle
Shtohen masat për parandalimin e përhapjes së epidemisë së koronavirusit. Policia e Shtetit dhe ajo Ushtarake do të dalin nga dita e sotme në rrugë për të kontrolluar me postblloqe për persona që 14 ditët e fundit kanë ardhur nga zonat e prekura.
“Nuk po vjen fundi i botës, por vetëm të vetërrethohemi për disa javë me muret e izolimit nga kontaktet e përditshmërisë sonë. Ata që janë kthyer 14 ditët e fundit nga Italia apo Greqia, ose zona të tjera të prekura të vetizolohen në shtëpinë e tyre. Nga sot do dalë në rrugë një formacion i përbashkët i Policisë së Shtetit e asaj Ushtarake që do të organizojnë postblloqe për kontrolle të automjeteve dhe do ndalojnë e verifikojnë nëse në automjet ka të ardhur nga Italia apo Greqia në 14 ditët e fundit që ndalohen të dalin nga shtëpia për 14 ditë”, tha Rama.
Kreu i qeverisë tha se shkelësit do të dënohen me 5 mijë euro gjobë, e cila do të bëhet pengesë për largimin nga Shqipëria më vonë, për cilindo që bëhet subjekt i saj.
Rama tha se pavarësisht se mund të duken si masa anormale, ato janë të domosdoshme, pasi jetojmë në një situatë anormale.



