
Deputeti i ri nga radhët e LSI, Ralf Gjoni gjatë fjalës së tij sot në Kuvend, i është drejtuar ministrit të Brendshëm, Sandër Lleshaj duke i kërkuar të japë llogari dhe të sqarojë lidhur me grabitjen e ndodhur në Rinas disa ditë më parë.
Ai ka kërkuar dorëheqjen e Lleshajt nëse ngjarja nuk zbardhet dhe autorët nuk çohen para drejtësisë. “Shpjegojini Kuvendit se pse qeveria shqiptare për të disatën herë dështon në detyrimin e saj për të siguruar territorin dhe jetët e shqiptarëve. Ju nuk mund ta justifikoni këtë duke e kaluar përgjegjësinë te koncesionari privat, se siguria kombëtare nuk është cështje koncesionari dhe nuk lihet në duart e privatit” ka thënë deputeti Gjoni.
Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj gjatë interpelancës lidhur me grabitjen e rreth 10 milion eurove në pistën e aeroportit të Rinasit nga një grup prej 5 personash,tha se debati është spostuar në planin politik dhe emocional, ndërkohë që sipas tij policia e shtetit është njoftuar me vonesë nga kontraktori që duhet të garantojë sigurinë brenda aeroportit të Rinasit.
“Diskutimi që ka shpërthyer si përherë ka tentuar të spostohet në plan politik e emocional duke iu larguar diskutimit racional duke tentuar drejt absurdit, ka pasur gatishmëri të madhe për të prodhuar skenarë apokaliptikë, se çfarë mund të kishte ndodhur, cila gjëmë do i kishte gjetur funksionarët e lartë të shtetit që përdorën aeroportin atë ditë, të tjerë edhe nëse çfarë do ndodhte nëse do ishte rrëmbyer avioni, etj, imagjinata mund t’i prodhojë dhe janë legjitime, por nuk na çojnë asgjëkundi”, tha ai.
Lleshaj shtoi më tej se: “Me ligj, miratuar para 15 vitesh, përgjegjësia i është transferuar kontraktorit privat, nuk do ta kisha votuar kurrë këtë vendim, por duhet ta dini se vendimi për këtë, është marrë në këtë Kuvend dhe është pranuar, toleruar, pëlqyer 15 vite me radhë dhe ju e dini fort mirë se kush ka qenë në karrige gjatë 15 viteve. U njoftua me vonesë policia e shtetit, pasi e kishte marrë në rrugë të treta njoftimin për ngjarjen dhe cënimin e sigurisë, në mënyrë zyrtare kompania njoftoi sallën e Rinasit 6 minuta e 30 sekonda më vonë nga nisja e ngjarjes. TIA njoftoi aviacionin civil shqiptar 30 minuta pasi ndodhi ngjarja. Policia ka tentuar të hyjë brenda, por porta nuk ishte hapur pasi e ka në komandë kompania e sigurisë së aeroportit”, tha Lleshaj.
Ministri u shpreh ndër të tjera se nuk ka vend për panik, pasi pas kësaj ngjarje sigurua e aeroportit është e garantuar.
Sot do të mbahet seanca e radhës parlamentare. Gjatë seancës së sotme plenare është parashikuar një interpelancë me ministrin e Brendshëm Sandër Lleshaj, i cili është thirrur nga 11 deputetë të ‘opozitës së re’. Grupi i deputetëve opozitarë në Parlament, do të kërkojnë sqarime lidhur me grabitjen e bujshme në aeroportin ‘Nënë Tereza.
Në rend ditë është parashikuar gjithashtu raportimi i veprimtarisë vjetore për 2018 nga Autoriteti i Mediave Audiovizive dhe Instituti i Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit në Shqipëri.
Po sot do të diskutohet dhe miratohet projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Kosovës, për ngritjen e pikave të përbashkëta të kalimit kufitar, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës dhe kryerjen e veprimtarive të përbashkëta të kontrollit kufitar”.
Ndërkohë që në Kuvend pritet që të bëjnë betimin edhe deputetët e radhës së opozitës së re. Deri tani numri i deputetëve nga të dyja palët ka arritur në 102.
Gjithashtu bëhet me dije se kryedemokrati Lulzim Basha do të mbledhë sot në orën 12:00 kryesinë e PD. Mbetet për t’u parë se çfarë do të prodhojë diskutimi i nesërm në mbledhjen e PD-së me dyer të mbyllura.
“Të enjten ora 12.00 do të zhvillohet mbledhja e përbashkët e Kryesisë së PDSH dhe Grupit Parlamentar, nën drejtimin e Kryetarit Basha. Në rend dite do të jetë vlerësimi i situatës politike dhe vendimmarrja e strukturave të partisë mbi vijimin e aksionit politik”, thuhet në njoftimin e PD.



