
Ambasadori i SHBA-së në Serbi, Christopher Hill në një intervistë për mediat vendase ka komentuar takimin e 14 shtatorit në Bruksel mes kryeministrit Kurti dhe presidentit Vuçiç.
Sipas tij, zgjidhjet e imponuara nuk mund të zgjasin shumë, por pavarësisht rezultatit Serbia i bëri detyrat e shtëpisë dhe u përgatit mire për këtë takim.
“Ishte një takim i vështirë. Por unë mendoj se njerëzit duhet të kuptojnë se ajo që po ndodh me këtë dialog të Brukselit është se në të vërtetë janë dy grupe negociatash. Këto janë negociatat ndërmjet palës serbe dhe BE-së dhe palës së Kosovës dhe BE-së. Unë nuk kam marrë pjesë në negociata, por në bazë të asaj që kam lexuar, pala serbe kishte shkuar e përgatitur mirë dhe në thelb është pajtuar me atë që ka propozuar BE-ja.”, tha ambasadori i SHBA në Serbi, Christopher Hill.
Hill gjithsesi beson se dialogu ende mund të sjellë zhvillime të caktuara.
“Unë do të thosha se kam pritshmëri nga dialogu ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës. Mendoj se Miroslav Lajçak po punon me shumë përkushtim për të gjetur zgjidhje që nuk do të imponohen. Ju e dini, zgjidhjet që imponohen nuk zgjasin shumë. Ata po punojnë për një marrëveshje të natyrshme.”, përfundoi ai.
Takimi i fundit mes Kurtit dhe Vuçiç në Beograd nuk solli asnjë rezultat, edhe pse Vuçiç deklaroj se ishte Kosova ajo që nuk pranoj propozimin e BE-së, dhe pikën më të rëndësishme sipas tij të diskutimeve, atë të asosacionit të komunave me shumicë serbe, ndërsa BE hodhi poshtë deklaratën e Kurtit se unioni nuk paraqiti asnjë propozim për dialogun gjatë takimit.



