
Po vijon me tensione seanca e sotme e Kuvendit të Shqipërisë, ku disa deputetë të PD kanë bllokuar foltoren. Kreu i grupit parlamentar të PD Luçiano Boçi iu drejtua drejtueses së Kuvendit Nikolla, duke theksuar se kjo e fundit po shkel rregulloren. Ai kërkoi që të ngrihet komisioni hetimor lidhur me skandalin McGonigal. Ndërkaq, kreu i grupit parlamentar socialist Taulant Balla tha se Rama do të flasë në 2 mars, duke shtuar se këto përpjekje të PD po bëhen për intimidimin e drejtësisë.
Boçi: Si mundet ju zonja kryetare të shkelni rregulloren dhe të bëni sikur s’ka ndodhur asgjë. Urdhrat nga Rama i merrni. Kemi kërkuar që nga java e shkuar seancë pyetjesh që është urgjente që kryeministri duhet të ishte prezent menjëherë, kemi 2 javë që e kërkojmë. Kemi kërkuar komisione hetimore, njëri i firmosur nga 35 deputetë, i dyti për 24 deputetë. Pse e shkel me këmbë Kushtetutën dhe më tregon rregulloren? Kush është ky që del në emisione dhe thotë nuk ngrihen komisione hetimore. Ushtro autoritetin tënd se kemi kërkuar komision hetimor për një çështje madhore, për atë thikën në zemër që i kemi ngulur SHBA.
Balla: Lidhur me kërkesën, Kuvendi për mocionin me debat, ka marrë vendim dhe në konsultim më zyrën e kryeministrit që ka garantuar që do jetë prezent në datën 2. Komisioni hetimor parlamentar po shqyrtohet nga Konferenca e Kryetarëve. Thirrja ime është që kjo shfaqje këtu s’ka të bëjë fare me komisionin hetimor, as me McGonigal-in, por lidhet me përpjekjen e këtyre këtu e të Kadiut për të indimiduar drejtësinë. Jam i sigurt që pas datës 3 nuk do të jeni kështu sepse gjykata do marrë vendim, por problemet e brendshme të partisë suaj mos i sillni në sallën e Parlamentit!



