“Shkelje të rënda” ndaj fëmijëve po ndodhin në Gaza, tha në një deklaratë të mërkurën drejtoresha ekzekutive e UNICEF-it Catherine Russell, një ditë pas vizitës së saj në territor.
“Palët në konflikt po bëjnë shkelje të rënda ndaj fëmijëve; këto përfshijnë vrasjen, gjymtimin, rrëmbimet, sulmet në shkolla dhe spitale dhe mohimin e aksesit humanitar – të gjitha këto që UNICEF-i i dënon”, thuhet në deklaratë.
Russell shtoi se përveç mijëra fëmijëve të vrarë dhe të plagosur, shumë prej tyre janë të zhdukur dhe besohet se janë bllokuar nën rrënojat e ndërtesave të shkatërruara, të cilat ajo i quajti "rezultat tragjik i përdorimit të armëve shpërthyese në zonat e populluara".
Ajo tha se stafi i UNICEF-it po vazhdon punën e tyre në emër të fëmijëve të Gazës, pavarësisht se janë ndikuar drejtpërdrejt nga vetë konflikti.
“Shumë njerëz, përfshirë stafin tonë dhe familjet e tyre, tani po jetojnë në strehimore të mbipopulluara me shumë pak ujë, ushqim ose kanalizime të mira, kushte që mund të çojnë në shpërthime sëmundjesh.” ajo tha.
Russell bëri thirrje për një armëpushim të menjëhershëm për të lejuar më shumë ndihma humanitare për të arritur në Gaza, veçanërisht karburant, disa pritet të arrijnë në Gaza të mërkurën, e para që do të arrijë në territor që nga sulmet e Hamasit në Izrael më 7 tetor.
UNICEF thotë se më shumë se 700,000 fëmijë janë zhvendosur që nga fillimi i konfliktit. Nga 11,255 palestinezë të vrarë si rezultat i sulmeve izraelite në Gaza, 4,630 ishin fëmijë, sipas shifrave të Ministrisë palestineze të Shëndetësisë në Ramallah.



