
Komisioni Europian u ka kërkuar platformave të rrjeteve sociale t’i japin policisë informacion në lidhje me përmbajtjen që shkel ligjin, pas kërcënimeve për imponimin e legjislacionit të BE-së për heqjen e materialeve të tilla.
Në një mbledhje me dyer të mbyllura të mbajtur të martën në Bruksel, ku morë pjesë disa komisionerë të BE-së dhe përfaqësues të 20 sipërmarrjeve të tilla, komisioni kërkoi heqjen e shpejtë të materialeve të tilla në momentin që ato konstatohen.
Komisioneri i çështjeve të brendshme të BE-së, Dimitris Avramopolous, tha se fshirja e këtyre materialeve nuk duhet të zgjasë më shumë se 2 orë nga koha e publikimit. “Informacioni për materialin e fshirë duhet t’u jepet forcave të rendit që të mund të përdoret si provë në hetime”, tha ai.
Kjo kërkesë është pjesë e një përpjekjeje akoma më të gjerë nga ana e BE-së për për të detyruar platformat online që të marrin masa menjëherë lidhur me materiale që hidhen në internet për të nxitur urrejtjen, dhunën dhe terrorizmin.
Por ajo që lë vend për diskutim është arsyeja që shtyn drejt nxitjes për urrejtje, dhunë dhe terrorizëm.
Në një dokument të bërë publik në shtator, Komisioni i BE-së thekson se “çfarë është e paligjshme offline, është njësoj e paligjshme edhe online”, pavarësisht se ligjet mund të ndryshojnë nga një vend në tjetrin. Platformat e internetit duhet të studiojnë ligjet e shteteve anëtare të BE dhe t’i aplikojnë ato respektivisht në raste si gjuha e urrejtjes dhe më pas të vendosin nëse duhen fshirë apo jo.
Europol, agjencia e sigurisë në BE, ka tashmë një stukturë të veçantë për referimin e materialeve të tilla.
Kritikët thonë se firmat amerikane, nën kërcënimin e gjobave, ka më shumë gjasa të fshijnë materiale të tilla, pavarësisht nëse ato janë apo jo të paligjshme.
“Facebook dhe Tuiter do të censurojnë materiale të ligjshme sepse kanë frikë nga gjobat”, thonë në Oben Rights Group, një OJQ me bazë në Londër.
Po sa e vështirë do të jetë kjo?
Duke parë përmasat që ka marrë rrjeti, nuk është aspak e lehtë. Çdo sekondë, 8 mijë mesazhe shpërndahen në Tuiter. Mbi 72 mijë njerëz në sekondë janë duke parë video në Youtube, ndërsa 820 foto postohen mesatarisht për sekondë në Instagram.
Disa ditë më parë, “Titanic”, një gazetë satirike në Gjermani, iu bllokua llogaria në Tuiter, pasi bëri shaka me një zyrtar të së djathtës ekstreme, AfD. Kjo ngre pikëpyetje lidhur me lirinë e shprehjes.
Tuiter dhe një tjetër platformë e medias sociale mund të përballen me gjoba 50 milionë euro në Gjermani që prej fillimit të vitit, nëse materiale të tilla nuk fshihen brenda 24 orëve.
Në shtator, Ministria e Brendshme franceze urdhëroi dy media online të hiqnin disa materiale që konsideroheshin si provokim për terrorizëm. Të njëjtat materiale u publikuan edhe në media të tjera, por ndaj tyre nuk pati reagim.
Një dokument i vitit të kaluar, hartuar nga Komisioni Europian mbi këtë çështje, u kritikua me argumentin se vinte në rrezik sundimin e ligjit.
Dokumenti ishte një adaptim i direktivave të BE-së për terrorizmin, i cili lë të hapur për interpretim sipas vendeve përkatëse terma si nxitja indirekte drejt terrorizmit. /Euobserver.com /



