
Prej disa ditësh vendi ynë është përfshirë nga rritja e temperaturave ku pritet që në ditët në vazhdim, konkretisht të premten të arrijnë deri në 40 gradë celsius.
Në një lidhje skype me MCN Live Anira Gjoni nga IGJEUM u shpreh se po përballemi me valët e para të të nxehtit të cilat do të na shoqërojnë deri ditën e dielë, ditë kur pritet dhe një rënie e lehtë e temperaturave.
Ajo tha se pjesa e dytë e qershorit do të sjellë temperatura ekstreme, ndërsa theksoi se më shqetësuese në këto do të do të jenë temperaturat e larta që do na shoqërojnë dhe gjatë natës.

Jemi në valën e parë të të nxehtit për këtë verë, ato më herët kanë qenë më të dobëta presim që gjatë këtyre ditëve temperaturat të arrijnë deri në 40 gradë celsius, e premtja pritet të jetë dita më e nxehtë dhe nga e enjtja deri të dielën do jemi në temperatura të larta si ato minimalet gjatë natës dhe ato maksimalet. Javës tjetër presim një qetësim të situatës me 2-3 gradë më pak, por që temperaturat e larta do jenë prezente dhe në pjesën e dytë të qershorit.
Për nesër presim temperatura maksimale 36 gradë celsius në bregdet, në zonat malore 33 dhe në zonat e ulëta 39 gradë celsius. Sa i përket të premtes që pritet të jetë dhe dita më e nxehtë temperaturat maksimale për zonat bregdetare do jenë 38 gradë celsius, në zonat e ulëta 40 gradë dhe ato malore 34 gradë, ndërsa minimalet që do jenë më shqetësuese, në bregdet 23, në zonat e ulëta 24 dhe zonat malore 19 gradë celsius.
E diela pritet të ketë një ulje të lehtë. Kjo valë e të nxehtit shoqërohet me një pluhur që vjen nga Saharaja që sjellin dhe atë pamje të mjegullt e cila do të jetë prezente deri të dielën dhe me kalimin e kësaj vale të të nxehtit dhe me normalizimin në një farë mënyre të temperaturave pritet të largohet dhe kjo grimca pluhuri.



