
Shkëlzen Veseli është artisti shqiptar i cili jeton në Itali dhe bën punime artistike me simbolet patriotike shqiptare.
Në një lidhje skype “Zgjohu me MCN” ai tregon se punimet e tij janë vetëm prej druri dhe se ky ka qenë një pasion i tij që në vegjëli. Ai tha se ka katër vjet që merret me këtë punë dhe është puna që ai dashuron.
Kam realizuar Shqipërinë e madhe me dru dhe janë të gjitha qytetet e gdhendura. Të gjitha punimet e mia janë me bazë druri. Harta e Shqipërisë së madhe është ajo që më ka zgjatur më shumë, 2 javë. Kam qenë i pasionuar pas punimeve të drurit dhe kur punoja në Itali pasdite merresha me këto punime.
U bënë gati 4 vjet që merrem me këtë punë dhe tani kam hapur një dyqan timin dhe është një punë që e dashuroj. Punoj dhe si vullnetar me fëmijët autik. Duke punuar me ata kam kuptuar se mënyra më e mirë për ti qetësuar ata është duke i vënë në punë.
Më tej ai ka treguar për çmimin e këtyre shqiponjave të gdhendura në dru për të cilat shprehet se një prej tyre shkon diku te 90 euro, dhe se punimet e tij i ka dërguar pothuajse në çdo cep të botës.
Një shqiponjë shkon diku te 90 euro. Normalisht që përfshihet dhe materiali, taksat. Ka shumë shqiptarë që marrin punimet e mia. Madje dhe në Afrikë, Australi, Finlandë, Kanada, pothuajse në të gjithë botën kam dërguar.
Punimi më i çuditshëm ishte kur më kërkuan makinën në mes të shqiponjës. Shqiponja më e madhe që kam bërë është 2 metra e 30 centimetra dhe e kam çuar në Milano, ka kushtuar 1200 euro.



