Kryetari i shoqatës Pro-Export Albania, Edvin Prençe, për deklaratat e Kryeministrit Edi Rama me biznesin e madh i cili e vuri theksin tek rritja e pagave në sektorin privat, kryesisht tek bizneset fason, deklaroi se ky biznes është shtrirë në shumë vende dhe në zona rurale, aty ku qeveritë nuk kanë pasur interes të shkojnë, duke përfshirë shtresat më vulnerabël.
Në një lidhje për MCN Live, ai tha se rritja e pagës është detyrim duke parë rritjen e kostos jetike të njerëzve, por nënvizoi se nuk është faji i biznesit dhe njerëzve që nuk janë mbrojtur nga qeveritë.
Sipas tij, çfarëdo page të marrin punonjësit jetesa është shumë e vështirë dhe njerëzit duhet të bëjnë llogari me laps e me letër për t’ia dalë.
Duke folur për sektorin fason, Prençe tha se është një sektor që ka sakrifikuar shumë, por se qeveritë nuk kanë pasur strategji zhvilluese.
Për pagat jemi pak a shumë në trend të ngjashëm me sektorin shtetëror, diferencat janë minimale. Sektori ka mbi 75 mijë të punësuar, përtej bujqësisë që nuk arrin të kontrollohet për punësimet.
Jemi sektori i parë privat që kemi një punësim kaq të madh dhe ka 20% të eksporteve. Me rritjen e pagës minimale, kthehemi te efekti që ne po fillojmë të mos jemi më të konkurrueshëm në raport me vendet europiane.
Nuk jemi më kompetitiv me vendet europiane, për shkak të rritjes së kostove mujore. Mungesa e fuqisë punëtore është një element shumë i rëndësishëm për sektorin, paçka se bizneset janë munduar të bëjnë investime inovative, por sërish kemi nevojë për kapitalin human, pasi ka filluar të ndihet problematika e konkurrueshmërisë.
Sektori i këpucës është ndër sektorit të parë që ka frenim të produktivitetit, për shkak të kostove të rritura dhe rënies së fuqisë blerëse.
Duhet mbështetje dhe strategji zhvillimi për këtë sektor dhe pa strategji për eksportet, do fillojë të ndjehet ngadalësimi.
Është sektori më i kontrolluar duke qenë 100% eksportues, jemi ulur në vlerat e sasive eksportuese drejt vendeve të tjera. Kanë qenë rreth 20 mijë vende pune vakante dhe po aq vijojnë të mbeten të lira.
Ka filluar të bëhet një zgjidhje me punonjës të huaj, por ka procedurë që zgjat gati 2 muaj. Por bizneset duke mos pasur likuiditet për të paguar, imagjino për të sjellë punonjës të huaj në vendin tonë.
Nuk është e vërtetë që nuk ka rritje në karrierë, mund të ketë paga më të larta se një punonjës banke. Duke mos pasur dhe formimin shkollor të duhur, por me praktikën dhe rritjen e eksperiencës ka rritje graduale.
Jemi në ekonomi tregu dhe produktiviteti është ajo që ndikon në pagesën që çdo punonjës merr.
Formimi i kontratës kolektive do bënte të mundur kornizën ligjore dhe formative, në këtë mënyrë do evitoheshin problematikat dhe në total si punëmarrësit dhe punëdhënësit të merrnin përgjegjësitë.
Sot kemi kontrata pune që nga ana e biznesit respektohen, por nga punëdhënësi jo, si koha e dhënies së dorëheqjes.
Duhet riformatim si ligjor dhe kontrate kolektive, për të evituar këto problematika që kanë ndodhur ndër vite.
Prençe deklaroi se biznesi ka bërë të pamundurën, por kanë qenë periudha të ndryshme kohore dhe janë respektuar pagat minimale të momentit.
Ai ngriti si shqetësim se nëse Shqipëria nuk do të jetë e kujdesshme te rritja e pagës minimale dhe pa një strategji zhvillimi, pasi kanë ecur me orientimet e tyre dhe pa një orientim kombëtar do kenë probleme.
Patjetër që do ta pasqyrojmë rritjen e pagës minimale, se gjithë bizneset duhet të zbatojnë ligjin dhe rregullat e vendosura.
Krahasuar me turizmin që ka pasur mbështetje, sektori i manifakturës, nuk ka pasur asnjë ndërhyrje apo incentivim siç kanë pasur shumë sektorë.
Kemi kërkuar mbështetje prej vitesh dhe nuk kemi marrë një përgjigje. Patjetër pagat do rriten, por pa një strategji zhvillimi, ky biznes do e ketë jetën shumë të shkurtër dhe do kthehet në bumerang për shtetin, dhe këta njerëz kush do i thith.
Deri më sot ne kemi shitur krahun e punës dhe tashmë kemi eksperiencën e mbi 30 viteve, kapacitete që ky sektor të mos jetë yzmeqar i botës. 80% të kostove të biznesit e zënë pagat, sigurimet dhe të tjera si këto.
Marzhi i fitimit të këtij biznesi është për mbijetesë. Bazuar në të dhënat e ministrisë së Financave, sektori ynë ka me pagë minimale rreth 40%, me 34 mijë lekë të reja.
Mesatarja e sektorit varion 37-38 mijë lekë neto, duke zbritur sigurimet dhe tatimet e tjera. Kjo mesatare është rritur ndër vite.



