Deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji ka parashtruar disa pyetje publike në Kuvend sa i takon operacionit Forca e Ligjit, i njohur ndryshe OFL në interpelancën e kërkuar me ministrin e Brendshëm Bledi Çuçi.
Gjatë fjalës së tij Salianji theksoi se operacionet e OFL-së tregojnë qartë se kanë qenë intimidime për grupet kriminalë që këto të fundit të përfshiheshin në fushata elektorale.
Është miratuar një akt normativ nr, 1 për masat parandaluese kundër krimit të organizuar i ashtuquajturi si Forca e Ligjit. Kjo lë dyshime se ky operacion u bë për të intimiduar grupet kriminale për t’u përfshirë në fushatë zgjedhore. Nëse ndjekim logjikën e Ramës, nëse ka dështuar procesi i vettingut në polici, ndaj ka marrë dhënë krimi në vend. Ndërkohë, për operacionin Forca e Ligjit trumbetonte; duhet t’ua bëjmë të pamundur atdheun atyre që janë me krimin. Çfarë parashikohet ky ligj dhe ku jemi sot? A ka qenë nismë për të pastruar me letra pasigurinë e grupeve kriminale. Po pse Shqipëria renditet ende në listën gri të pastrimit të parave. Cilat para pastrohen në Shqipëri? A janë realizuar qëllimet e këtij akti. Kam kërkuar me shkresë në Ministri se sa është numri i subjekteve të OFL që janë hetuar, apo e atyre që nuk janë referuar. A ka selektivitet? A ka ndërhyrje politike?
Në përgjigje të këtyre pyetjeve, ministri i Brendshëm Bledi Çuçi nga foltorja e Kuvendit deklaroi se OFL u krijua si një instrument inteligjent për të luftuar krimin dhe sipas tij goditja u bë aty ku i dhimbtë më shumë siç është pasuria.
OFL apo vetingu në policinë e shtetit janë dy nisma unikale dhe si të tilla debati rreth tyre nuk është shterues, prandaj e çmoj shumë mundësinë për të folur për to. OFL mbetet një moment historik si një instrument i shpejtë dhe i thjeshtën për të gjurmuar pasuritë sikundër dihet nisja e tij bazohet në aktin normativ nr. 1 qëllimi i të cilit ishte ndërhyrja emergjente. OFL nisi si aksion me qëllim se do të shndërrohet në proces të vazhdueshëm ashtu si dhe ka ndodhur, pavarësisht se zbatueshmëria ka përfunduar në dhjetor 2020, rezultatet e saj do shtrihen edhe në të ardhmen e afërt. Çdo subjekt i OFL do hetohet dhe do përgjigjet përballë drejtësisë. Këto ligje nuk duhen konsideruar si të mbivendosur, përkundrazi janë plotësuese në qëllimin tyre. Ju siguroj se s’ka vakum në heshtje, por punon sistematikisht për sekuestrimin e pasurive të krimit. Ky akt normativ i dha dhe një shtysë më tepër në një kohë shumë të shkurtës luftës kundër krimit të organizuar duke e goditur aty ku i dhëmbë më shumë krimit, tek pasuria. OFL ishte dhe një garanci më shumë për policinë e shtetit sepse subjektit i kërkohej deklarimi i pasurive, risi ishte edhe fakti që barra e provës i takonte vetë subjektit. Konstatimi i bërë nga ju në lidhje se ky operacion u përdor për qëllime elektorale është jashtë logjikës dhe ka pasur efekt vetëm një vit. Vetë akti normativ ka parashikuar mbarimin e shtrimit të ligjit brenda afatit 1 vjeçar, prandaj s’mund të mendosh se ishte një instrument i përdorur për qëllime elektorale. Sot nuk flasim më për një operacion apo aksion por për një punë rutinë të policisë.



