Shkencëtarët thonë se kanë identifikuar këpucët më të vjetra në Europë, sandale të endura nga bari të cilat mendohet se janë rreth 6000 vjet të vjetra.
Ato u gjetën midis një grumbulli objektesh antike të zbuluara në një shpellë lakuriqësh nate në Spanjë të grabitur nga minatorët në shekullin e 19-të, por që u analizuan në një studim të ri.
Lagështia e pakët dhe erërat e ftohta në shpellë i mbajtën ato në gjendje të mirë.
Studiuesit analizuan gjithashtu shporta dhe një grup mjetesh.
“Objektet janë grupi më i vjetër dhe më i mirë i ruajtur i materialeve të fibrave bimore në Evropën Jugore i njohur deri më tani”, tha bashkautorja e studimit, Maria Herrero Otal.
Diversiteti teknologjik dhe trajtimi i lëndëve të para të dokumentuara nxjerrin në pah aftësitë e komuniteteve parahistorike.
Teknikat e reja të datimit të përdorura treguan se koleksioni i 76 objekteve të gjetura në shpellë ishte rreth 2000 vjet më i vjetër nga sa mendohej më parë.
Disa objekte në grup datojnë 9000 vjet më parë. Sandalet të cilat u analizuan përdorën lloje të ndryshme bari në strukturën e tyre, thanë studiuesit, por përfshinin edhe materiale të tjera si lëkura dhe gëlqere.
Ato datojnë në periudhën neolitike, duke i bërë më të vjetra se këpucët prej lëkure 5500-vjeçare të zbuluara në një shpellë në Armeni në vitin 2008.
Shpella ku u gjetën sandalet 6000-vjeçare ishte Cueva de los Murcielagos, ose Shpella e Lakuriqëve, në Andaluzi, në jug-perëndim të Spanjës.
Sipas studiuesve, shpella u arrit për herë të parë në vitin 1831 nga një pronar toke i cili mblodhi guanon e lakuriqëve të natës, ose jashtëqitjet e përdorura për të bërë pleh.
Më pak se dy dekada më vonë, ajo u përdor nga minatorët, të cilët, duke minuar shpellën, zbuluan një galeri që mbante kufoma pjesërisht të mumifikuara, shporta, vegla druri dhe ndër të tjera, dhëmbë të derrit të egër dhe një diademë unike prej ari.



