Shtatë qytete britanike kanë hyrë në listën e ngushtë të vendeve kandidate për të pritur Festivalin e Këngës në Eurovision 2023.
Bëhet fjalë për Birmingham, Glasgow, Leeds, Liverpool, Manchester, Newcastle dhe Sheffield, të cilët do të garojnë për të organizuar eventin i cili do të mbahet në muajin maj të vitit që vjen.
Njëzet qytete kanë paraqitur kandidaturën e tyre, raporton BBC, duke përfshirë Londrën dhe Belfastin, por prej tyre janë filtruar vetëm shtatë.
Britania e Madhe u zgjodh për të pritur festivalin europian të muzikës, pasi organizatorët vendosën se nuk mund të mbahej nga Ukraina, fituesja e vitit 2022, për arsye sigurie dhe logjistike duke pasur parasysh konfliktin e vazhdueshëm me Rusinë.
Dhe Anglia ishte kandidati natyror për të marrë drejtimin e këtij festivali, pasi këngëtari britanik Sam Ryder u rendit i dyti këtë vit në Torino.
Pas caktimit se festivali do të mbahej në Angli, filloi gara e zakonshme mes qyteteve të vendit pritës, i cili është i lakmuar si nga mijëra vizitorë, ashtu edhe nga vëmendja e rreth 160 milionë shikuesve në mbarë botën.
Lista e ngushtë e qyteteve të përzgjedhura mori parasysh një sërë kërkesash të nevojshme për organizimin e ngjarjes së madhe, duke filluar me praninë në qytetet kandidate të një arene mjaft të madhe që mund të jetë e lirë për të paktën 6 javë përpara ngjarjes për të lejuar organizimin e Eurovizionit.
Nga pikëpamja e vendndodhjes, sipas asaj që italiania Adnkronos mëson nga burime të BBC-së, qyteti më i avantazhuar duket të jetë Manchesteri me AO Arena e cila ka një kapacitet prej 21.000 njerëz, e ndjekur nga Resorts World në Birmingham (15.685 spektatorë në kapacitet), OVO Hydro i Glasgow (14.300), Leeds First Direct (13.781), Utilita Arena i Sheffield (13.600), Utilita Arena i Newcastle (11.000) dhe M&S Bank Arena i Liverpool (11.000).



