Varikoçela është një nga shkaqet më të shpeshta të infertilitetit mashkullor dhe ndodh kur venat që furnizojnë testikujt nuk funksionojnë siç duhet.
Për shikuesit e programit të mwngjesit “Zgjohu me MCN”, dr. Drilona Ndevataj, specialist në urologji dhe andrologji që vepron në Itali, rreth 20% e meshkujve preken nga varikoçela, dhe kjo mund të identifikohet shpesh në moshën 14-20 vjeç.
Varikoçela është një zgjerim i venave brenda qeses së lëkurës që mban testikujt. Në rreth 90% të rasteve, ajo ndodh në testikun e majtë, për shkak të presionit më të madh dhe rrjedhjes më të ngadaltë të gjakut në atë anë.
Varikoçela prek kryesisht meshkujt e rinj, zakonisht ata që janë në moshën 15-20 vjeçare, dhe është e pranishme në rreth 20% të popullsisë. Disa prej tyre mund të mos kenë simptoma në fillim, por me kalimin e kohës, mund të ndiejnë ënjtje dhe dhimbje në testikuj për shkak të progresit të zgjerimit të venave.
Në fazat e hershme, pacientët shpesh vërejnë vetëm ndjesi të padëshiruara, si pesha ose shqetësimi në testikuj. Në fazat më të avancuara, mund të ndodhi një ndryshim në madhësinë e testikut, duke u dalluar nga tjetri.
Sipas urologes Ndervataj, diagnoza e varikoçelës bëhet kryesisht nga urologu, i cili mund të kërkojë analiza të spermës për të kontrolluar cilësinë e saj.
Ajo thekson se operimi është një opsion i mundshëm dhe efektiv për të trajtuar këtë gjendje, dhe mund të sjellë përmirësime të dukshme në cilësinë e spermës dhe mundësitë për fertilitet.
Në disa raste, diagnoza bëhet nga mjeku i sportit ose mjeku i përgjithshëm, për shkak të shqetësimeve të pacientit.
Nëse spermograma është normale, nuk është gjithmonë e nevojshme të ndërmerren masa. Megjithatë, nëse ka përkeqësim të cilësisë së spermës, një operacion mund të jetë i nevojshëm.
Operimi është një procedurë e efektshme dhe mund të përmirësojë cilësinë e spermës, duke rritur mundësitë për fertilitet.
Pas operacionit, periudha e pritjes për rritjen e numrit të spermatozoidëve është zakonisht 3-6 muaj.
Duke trajtuar varikoçelën, mund të përmirësohet cilësia e spermës dhe fertiliteti. Është vërtetuar se rreth 40-50% e meshkujve që kanë probleme me fertilitetin, kanë prezencë të varikoçelës, e cila është një faktor kryesor që ndikon në fertilitet.



