Kryeministri Rama e ka theksuar me forcë prej kohësh domosdoshmërinë e reformimit të sistemit gjyqësor. Në një intervistë të dhënë sot për GSH, Rama thotë se prej 25 vitesh, “rrjeta” e drejtësisë ka rezultuar më e dobët se “peshqit” që kanë rënë në të.
Ambasadori i SHBA ka përmendur “peshq të mëdhenj”, kur ka folur për luftën kundër drogës në Shqipëri. Në fakt, nuk është sekret që ‘peshq të mëdhenj’ në rrjetën e drejtësisë nuk kanë rënë në 26 vite, as në fushën e drogës, as në atë të korrupsionit në nivele të larta.
Ambasadori Lu është një mik dhe mbështetës i zjarrtë i Shqipërisë, që e përfaqëson më së miri Presidentin e Shteteve të Bashkuara si një vend partner kryesor i vendit tonë, e i shqiptarëve në tërësi. Por ambasadori Lu është po ashtu një njeri si të gjithë ne, të cilin pasioni për një kauzë të drejtë e çon ndonjëherë në eksese retorike, duke i futur peshqit e peshkatarët në një trastë! Padyshim që këto eksese nuk e bëjnë më pak të vyer kontributin e tij për të çuar përpara reformat, në veçanti Reformën në Drejtësi. Sidoqoftë ka vetëm një rrjetë që kap “peshq” në një vend demokratik dhe kjo është rrjeta e drejtësisë, të cilën në Shqipëri, prej 25 vjetësh, peshqit janë mësuar ta hanë sa herë ndeshen me të.



