Kryeqyteti i Kenias, Nairobi, njihet si një nga qytetet me trafikun më të rënduar në botë. Për t’i shpëtuar bllokimit të rrugëve dhe vonesave që sjellin si pasojë, shumë prej banorëve janë angazhuar në një flotë motorësh-taksi, që njihen si boda-boda.
Qindra mijëra “taksi” të tilla janë aktualisht në shërbim dhe numri i tyre vazhdon të rritet. Por edhe kjo zgjidhje ka krijuar një tjetër problem. Me kaq shumë konkurrencë, lufta për klientelë është bërë e ashpër, aq sa drejtuesit e këtyre mjeteve përpiqen të gjejnë ide për të tërhequr klientë.
Një prej këtyre ideve është dekorimi i mjeteve, duke zgjedhur një tematikë të caktuar.
Gjatë një vizite të kohëve të fundit në lagjen Kibera të Nairobit, një nga më të varfrat, fotografit holandez, Jan Hoek, i ra në sy një shofer boda-boda veçanërisht krijues, i cili e kishte përshtatur motorin e tij në mënyrë të tillë që i ngjante atij të përdorur nga aktori Nicholas Cage, në filmin e vitit 2007, “The Ghost Rider”, bazuar në personazhin e Marvel Comics.
Kishte vetëm një gjë që nuk ishte përshtatur: një veshje që të përputhej me temën. Për ta korrigjuar këtë “gabim”, Hoek iu bashkua projektit të stilistit ugandas, Bobbin Case, për të krijuar veshje për shtatë shoferët më kreativë të boda-bodas. Fotot e mëposhtme tregojnë rezultatin e këtij bashkëpunimi.



