
Hyrja në botën magjepsëse të gemologjisë është po aq e ndërlikuar sa vetë gurët e çmuar.
I ftuar në studion e “Zgjohu me MCN”, gemologu Jon Rexha shpjegoi profesionin që kërkon njohuri të thella mbi karakteristikat, prerjet, provat laboratorike dhe vlerësimet e tregut të gurëve të çmuar.
Rexha thotë se gemologu është specialisti që merret me analizën dhe vlerësimin e gurëve të çmuar, duke u bërë garant i asaj që shkruhet në certifikatë.
Ne jemi përgjegjës për atë që deklarojmë dhe firmosim në certifikatë.Si dallon një konsumator një gur të çmuar të vërtetë?
Shumë njerëz nuk kanë informacion të mjaftueshëm dhe shpesh rrezikojnë të mashtrohen në treg.
Unë u sugjeroj klientëve që të këshillohen gjithmonë përpara blerjes, sepse ka shumë detaje që tregojnë vlerën reale të gurit.Çmimet mund të ndryshojnë për shkak të trazirave gjeopolitike dhe situatave globale që nga pandemia, lufta në Lindjen e Mesme apo tensione të tjera ndërkombëtare.
Tregu lëviz vazhdimisht, sidomos për diamantet.
Rexha ka studiuar në SHBA, ku ka përfunduar shkollën e specializuar të gemologjisë, duke marrë titull profesional në vlerësimin e gurëve dhe veçanërisht të diamantëve.
Ai rrëfen se profesionin e ka trashëguar fillimisht nga biznesi i babait dhe sot vetëdijeson të tjerët si të zgjedhim një bizhuteri cilësore pa u mashtruar.
Kam 7-8 vite shkollim, por pjesën më të madhe të përvojës e kam mësuar nga babai. Më ka pëlqyer gjithmonë analiza dhe eksplorimi i gurëve.
Me kalimin e viteve kam krijuar rrjete bashkëpunimi në Evropë dhe Azi, duke e bërë të mundur sigurimin e gurëve të çmuar për tregun shqiptar.
Ndër gurët më të shtrenjtë që kam pasur në duar janë diamantët rozë , nga 150 mijë deri në 1 milion euro për karat.
Vlera e një diamanti varet nga disa faktorë kryesorë, karatatura (masa e gurit), ngjyra, pastria, fluorescenca, e cila vërehet nën drita të caktuara, si në diskoteka kur guri merr një reflektim blu.
Unë punoj vetëm me diamante të certifikuar. Çdo gur ka një numër unik në certifikatë, i cili nuk ndahet me klientin për arsye sigurie.
Ka raste kur gurë të tjerë si rubini apo safiri mund të arrijnë vlera më të larta se diamantët, veçanërisht kur rubini është i kategorisë së rrallë “no heat” (pa trajtim termik).
Diamantët sintetikë janë të krijuar në laborator me përbërje karboni, kanë çmim më të ulët, por janë të certifikueshëm dhe të dallueshëm nga ata natyralë.
Për floririn duhet të blini vetëm në kompani të certifikuara dhe të licencuara.
Edhe për gurët e çmuar kërkoni gjithmonë certifikatë të vlefshme ndërkombëtare.



